Ish-kryeministri Aleksandër Meksi thotë se shitja e banesave stok do të ndikonte pozitivisht në procesin e rindërtimit. Në një intervistë në emisionin “Në Fokus”, në TvT, Meksi tha se numri i madh i banesave stok në Shqipëri ka krijuar njëfarë ngërçi, të cilit shteti duhet t’i japë zgjidhje.
“Ndërkohë që mijëra njerëz janë pa shtëpi dhe nuk blihet stoku i banesave, që do të ishte një input për firmat e ndërtimit që mund të ndërhyjnë. Ne e kemi tepruar me numrin e banesave që ndërtohen dhe nuk përdoren dhe i takon shtetit të gjejë një mënyrë për t’i përdorur”, tha ai.
Mosnisja e procesit të rindërtimit, sipas ish-kryeministrit do të ketë kosto edhe për turizmin, i cili nuk ka marrë nga shteti mbështetjen e nevojshme.
“Turizmi është një komponent i madh. Nëse duam që ai të zhvillohet, si turizmi lokal dhe ai mbarëshqiptar, duhej të ishte marrë në konsideratë. Nuk di të jetë hedhur nga shteti ndonjë ndihmë që kompanitë turistike të jenë në gatishmëri që territoret ku veprojnë ato të jenë në gatishmëri. Marrim p.sh. ujërat e zeza në Golem. Ne nuk po shohim që ndonjë nga banesat e rrënuara nga tërmeti të ngrihet. Nuk vjen një i huaj kur sheh pallate të rrënuara. Nuk ka filluar punë reale me to”, tha ai.
Gjatë intervistës, Meksi analizoi edhe masat e marra nga qeveria për pandeminë e koronavirusit.
“U fillua me vonesë, por u fillua mirë. U dha urdhri i një kufizimi total. U dha rezultati që mbuloi edhe atë që nuk u bë”, tha ai, ndërsa theksoi se rikthimin në normalitet duhet të jetë i kujdesshëm dhe duke respektuar masat.
“Distancimi dhe maskat janë të domosdoshme. Distancimi në vendet publike, termoskaneri, testimet janë ato që japin siguri për kufizimin”, tha Meksi.
Sa u takon paketave me të cilat qeveria ka mbështetur kategori të ndryshme në krizën e pandemisë, Meksi tha se ato duhej të kishin qenë më bujare dhe më të mirëmenduara.
“E para që për të tre muajt duhej një paketë minimumi te 30 mijë të reja dhe të mos mbaheshin kontributet”, tha ai, ndërsa në lidhje me bizneset e vuri theksin te domosdoshëmria e mbështetjes me bonuse dhe grante.
“Shteti duhej të jepte ndihmë, biznesi ka nevojë, e para për likujditet. Kredia që jep shteti është një anë. Ana tjetër janë bonuset dhe grantet. Mbyllja është një farë dhune ndaj njeriut dhe biznesit. Biznesi ka nevojë për para për të mbijetuar, për shtyrje të detyrimeve dhe kamatave. Kur të nisë punën ka nevojë për dy kredi: afatshkurtra jo më shumë se 2% dhe kreditë zhvillimore. Këto para gjenden nga bankat, nga ndihmat e huaja. Shteti menjëherë duhej të merrte nga rezervat e shtetit, të cilat mund të përdoren dhe të jepen grante”, tha ai.
Sa i takon të ardhmes, ish-kryeministri i parë i Shqipërisë postkomuniste thotë se si të gjitha pandemitë, edhe koronavirusi mund të sjellë ndryshime në politikë. Ndërsa në lidhje me aspiratën europiane të vendit, Meksi thotë se kemi rrugë për të bërë. “Te dera e Europës dhe siç duken punët do të shkojmë në këmbë se nuk e arrijmë kur të hapet dera”, thotë ai.