Melania Trump është shfaqur në publik për herë të parë pas kaq shumë kohësh. E veshur me të kuqe, ajo hyri e vetme në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee, e shoqëruar me muzikë klasike.
Rrëzëllitëse dhe shumë elegante, ajo dukej më shumë sikur po ecte në një pasarelë sesa në një konventë politike. Melania u bashkua me bashkëshortin e saj në skenë pas fjalimit të tij të gjatë, duke ecur në podium. Donald Trump i dha një përqafim dhe dyshja ndanë një puthje në faqe. Ai më pas e kapi për dore dhe eci nëpër skenë ndërsa anëtarët e tjerë të familjes Trump u bashkuan me ta.
Që kur bashkëshorti i saj u zgjodh për herë të parë president në vitin 2016, Melania Trump ka thyer të gjitha rregullat e politikës normale presidenciale amerikane. Në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trump, ajo ishte një figurë e izoluar në krahasim me zonjat e tjera të para, duke u fokusuar me një grup të ngushtë interesash. Që prej largimit të bashkëshortit nga detyra, ajo ka refuzuar të shihet në krah të Trump në shumë raste edhe kur publiku priste që ajo të ishte e pranishme.
Ndryshe nga konventat e mëparshme republikane në 2016 dhe 2020, ajo nuk mbajti një fjalim. Duke shfaqur shenja dashurie, ish-zonja e parë u pa herë pas here duke prekur krahun e burrit të saj dhe duke biseduar me të zgjedhurin e sapoemëruar të Trump për zëvendëspresident, JD Vance.
“Faleminderit Melania dhe faleminderit edhe për letrën tuaj të bukur drejtuar Amerikës që bën thirrje për unitet kombëtar”, tha ai, duke iu referuar deklaratës së ish-zonjës së parë të lëshuar pas atentatit që iu bë bashkëshortit të saj.