Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, mbrojti marrëveshjen për emigrantët të firmosur me Shqipërinë, duke thënë se mund të jetë një shembull për t’u marrë nga të tjerët, nëse funksionon mirë.
Gjatë një eventi në Kroaci, ajo nënvizoi se i mbetet Romës dhe Tiranës në dorë për të bërë ta realizuar paktin, të cilin e konsideroi të zgjuar dhe inovativ.
“Për sa i përket marrëveshjes me Shqipërinë, mendoj se është një marrëveshje shumë inovative dhe shumë inteligjente. Mendoj se kjo marrëveshje u prit me shumë interes nga partnerët e tjerë europianë dhe padyshim që varet nga aftësia jonë për ta bërë atë të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Por unë mendoj se mund të jetë një shembull për t’u marrë dhe për t’u përsëritur, veçanërisht nëse funksionon mirë nga ky këndvështrim”, tha Meloni.
Italia do të ndërtojë dy qendra të menaxhimit të emigrantëve në Shqipëri, të cilat, kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë një “fluks vjetor prej 36 mijë personash”.
Rama është shprehur më herët se marrëveshja ka nisur të ideohet në gushtin e kaluar gjatë pushimeve të Melonit në Dhërmi, por që pas bërjes së saj publike, kreu i qeverisë ka dhënë detaje kryesisht vetëm për mediat italiane.