Teksa marrëveshja e emigrantëve është kryefjala e debatit politik në Shqipëri dhe Itali, kryeministrja Giorgia Meloni vjen të mërkurën në Shëngjin, për të vizituar dy qendrat e menaxhimit të emigrantëve, strukturat e të cilave janë ngritur dhe që janë marrë në menaxhim nga autoritetet italiane.
Në faqen zyrtare të qeverisë italiane, njoftohet se Meloni do të jetë në Shëngjin rreth orës 12:00 dhe së bashku me kryeministrin Edi Rama do të vizitojnë zonat që mbulon protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për çështjet e migracionit, përfshirë edhe punimet në Gjadër, të cilat ende nuk kanë përfunduar. Në fund të inspektimit, Rama dhe Meloni do të kenë një konferencë të përbashkët për mediat.
Ministrja italiane do të shoqërohet nga ministri i Brendshëm Piantedosi.
Në një prononcim publik në Itali, Meloni dha disa detaje për vizitën në Shëngjin.
“Nesër me ministrin Piantedosi do të shkoj në Shqipëri për të verifikuar, zbatimin e protokollit që kam nënshkruar në muajin nëntor me kryeministrin Edi Rama të cilit i rinovoj solidaritetin e gjithë qeverisë time për sulmet që ka marrë. Do të verifikoj atje gjendjen e punimeve të qendrës të pritjes në Shëngjin dhe të përpunimit të të dhënave ne Gjadër.”
Përgatitjet për këtë vizitë nisën më herët, pasi një ditë me parë në kampet e ngritura për emigrantët mbërriti edhe policia italiane, për të parë terrenin për sigurinë e refugjatëve.
Referuar mediave italine, marrëveshjes pritet t’i hapet rruga e zbatimit duke filluar nga 15 shtatori.
Kapaciteti maksimal i emigrantëve në këto qendra nuk do të jetë më shumë se 300 në muaj. Shpenzimet do të mbulohen nga qeveria italiane, ku është parashikuar që vetëm për marrjen me qira të anijes që do të shoqërojë emigrantët do të shpenzohen 13.5 mln Euro për 90 ditë. Çdo operacion do të zgjasë deri në 6 ditë.
Marrëveshja mes Ramës dhe Melonit u nënshkrua më 6 Nëntor 2023 kryeministri Edi Rama që përmban ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve të cilët shpëtohen në det nga anijet ushtarake italiane apo ato të Guardia di Finanza-s.
Emigrantët do të qëndrojnë në Shqipëri dhe do të kryejnë procedurat derisa të merret një vendim për fatin e tyre, nëse do të pranohen ose jo në vendin fqinj.