Pas vendimit të Gjykatës së Romës mëngjesin e kësaj të shtune në portin e Shëngjinit mbërriti anija e marinës italiane që mori 12 emigrantët e ardhur në mesjavë në Gjadër, sipas marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët e paligjshëm. Sipas burimeve të mediave italiane, ata do të zbarkojnë në Bari, e më pas në një qendër për azilkërkuesit.
Edhe pse kërkesa e tyre për azil tashmë është refuzuar në orët e fundit, emigrantët kanë ende mundësinë e apelimit brenda katërmbëdhjetë ditëve për të mund të kërkuar sërish njohjen e këtij statusi. Në orët e vona të së premtez ka reaguar edhe Bashkimi Europian që është shprehur se është në kontakt me autoritetet italiane për rastin. Ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se do të mbledhë të hënën në mënyrë urgjente qeverinë.
“Shqipëria nuk është problemi”, thekson ajo duke akuzuar drejtësinë se nuk po e ndihmon në ruajtjen e kufijve.
“Shikoni është shumë e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t’i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshti nga një pjese e atyre institucioneve që supozohet t’ju ndihmojnë për t’iu përgjigjur problemeve të këtij kombi, mendoj se vendimi i gjyqtarëve në Romë është i paragjykuar nga fakti se disa nga këta gjyqtarë, e kishin kritikuar marrëveshjen me Shqipërinë edhe para se të hyj në zbatim. Problemi nuk është Shqipëria, problemi është shumë më i gjerë sepse në thelb ajo që thonë gjyqtarët është se nuk ka vende të sigurta ndaj po ju komunikoj zyrtarisht se problemi nuk është në Shqipëri”, tha Meloni.
“Problemi është se askush nuk mund të jetë kurrë i riatdhesuar sërish, problemi është se nuk mund t’i largosh njerëzit, problemi është se nuk mund të bësh asnjë politikë për të mbrojtur kufijtë e tu. Shpresoj që dikush të gjejë zgjidhje edhe për mua sepse unë jam ajo që më pas duhet t’i gjej zgjidhjet. Dhe në fakt do të gjej një zgjidhje edhe për këtë problem. Ne do të humbasim akoma kohë por tashmë kam thirrur një mbledhje të qeverisë për të hënën për ta zgjidhur këtë problem, sepse kam ndërmend të vazhdoj me të”.
Pavarësisht vendimit të gjykatës së Romës për moslejimin e qëndrimit të emigrantëve në Gjadër, qeveria italiane mesa duket ka vendosur të mos tërhiqet. Sakaq, javën e ardhshme pritet një transferim i ri emigrantësh këtë javë.