Mjaft i zhgënjyer për humbjen në derbi u shfaq trajneri i Tiranës, Ardian Mema, që në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, theksoi se ndeshja u vendos nga episodet dhe se fitorja “iu fal” kundërshtarëve.
Humbni derbin me dy episode, që mund t’i quajmë pa frikë gabime. Sa keqardhje keni pas ndeshjes?
Më vjen keq pasi po luanim shumë mirë, por u ndëshkuam nga dy episode, Nuk na mundi Partizani, por falëm ndeshjen sot, ndaj kjo është keqardhja më e madhe.
Nëse do riktheheshe pas, çfarë do ndryshoje?
Do zgjidhja të njëjtën mënyrë loje, por ndoshta do ndërroja ndonjë lojtar.
Torrasa duket sikur humbet diçka aty para mbrojtjes, ndërsa edhe Vangjeli-Osmani në mbrojtje sikur u penalizuan disi?
Në fakt unë pata probleme me Imamin dhe sot e mbajta në stol, dukje zgjedhur Vangjelin në mes, që gjithsesi luajti mirë dhe gaboi vetëm një moment, kur e la kundërshtarin pas shpine.
Shohim shumë modifikime pozicionesh. Mos ndoshta ky ekip nuk është ndërtuar si duhet?
Jo, ekipi ka vlera dhe është ndërtuar shumë mirë. Ne kemi humbur dy ndeshje ndaj dy rivalëve mjaft të fortë, ku për më tepër, më shumë i kemi falur takimet, pasi jemi shfaqur më mirë.
Tirana është ndërtuar për të luftuar për titull, por sot duket se kundërshtari ju mposhti në mesin e fushës…
Ndoshta mund të ketë probleme, por ne sot ishim duke dominuar tërësisht dhe u ndëshkuam nga një përplasje mes Kërçikut dhe Torrasës, që ishte e pafat. Aty ndryshoi loja, por natyrisht që në javët në vijim do të shohim se si mund të ndryshojmë.
Cila ka qenë ndeshja më e mirë e Tiranës?
Ne kemi disa objektiva këtë sezon dhe jemi plotësisht në garë edhe pas kësaj humbjeje. Do të vazhdojmë të punojmë nga dita në ditë, pasi pikët janë aty dhe kampionati është shumë i gjatë.
A mund të peshojë psikologjikisht kjo humbje?
Nuk besoj se do të ndikojë, pasi kemi ende edhe tre sfida, të cilat mund t’i fitojmë pasi ekipi ka shumë cilësi. Nuk kam bërë analizë psikologjike, pasi në derbi të karikon vetë ambienti, por më vjen keq vetëm për tifozët, që sot ishin fantastikë dhe na mbështetën deri në fund.