I ftuar në emisionin Zona Gol në Supersport, trajneri i Tiranës Ardian Mema, analizoi të gjitha problematikat në kampin bardheblu ndërsa foli edhe për të ardhmen dhe objektivat e 24-herë kampionëve.
PSE NDRYSHON KJO TIRANË? – “Në ditët e sotme, duhen ndarë detyrat. Trajneri të ketë pozicionin e vet, të zgjedhë lojtarët me kujdes. Të zgjedhë karakterin sportiv. Presidenti duhet të ketë detyrat e veta.”
PËRLOTET – “Jam përlotur edhe njëherë te kjo zyrë në një intervistë më parë, sepse këtu ka shumë histori. Në atë moment, u emocionova edhe prej disa kujtimeve. Kohët kanë ndryshuar, edhe ne duhet të ndryshojmë. Nuk duhet të mbetemi nostalgjik. Duhet t’i mësojmë edhe brezat e tjerë me frymën e Tironës. Këtë duam ne ish-futbollistët, të shkojë në krye.”
FILTRA PËR TË RINJTË – “Filtra ka tek brezat e rinj, por duhet t’i bëhet një histori të rinjve se çfarë përfaqëson Tirona. Të vjen keq që është shuajtur tradita e ndikimeve familjare, që vinin nga familje futbollistësh, duke trashëguar këtë afeksion te brezi tjetër.”
MERKATO – “Në ditët në vazhdim pres 1 ose 2 futbollistë, që mund të na bashkohen. Disa lojtarë të huaj kanë ardhur me vonesë, por jam i kënaqur nga faza përgatitore. Për sa i përket merkatos, kemi kohë deri në 30 janar, por nuk mund të flas me emra konkret. Në ditët në vazhdim do të shikojmë se kë mund të afrojmë. Kemi biseduar me tre futbollistë goxha cilësorë dhe po pres nga momenti në moment që bisedimet të konkretizohen. Duhet një përzgjedhje goxha e mirë, nuk mund të marr lojtarë anonim me 20 pikëpyetje nga pas. Nëse nuk marr këto futbollistë që kam menduar, nuk do të marrë të tjerë.”
TË RINJTË – “Kemi disa elementë të mirë si Muçi, Ismailgeci dhe Çelhaka. Kam pasur dilemat e mija për aktivizimin e të rinjve, për shkak të brishtësisë dhe emocioneve që kanë lojtarët e rinj. Mund të them se gjatë miqësoreve që kemi zhvilluar disa nga lojtarët e rinj kanë pasur momente loje, ku janë paraqitur më mirë se shumica e lojtarëve të formacionit.”
OBJEKTIVAT – “Në fillim kishim një problem shumë të madh me pësimin e golave. Tani po mundohemi që të kemi ekipin në ekuilibër. Objektivat e mi janë dy: I pari atë që ma cakton klubi dhe i dyti objektivi që vendos çdo trajner. Kur erdha shumë njerëz kanë thënë se mund të shkojmë në kupat e Europës, por unë nuk e kam menduar këtë, doja vetëm që të nxirrja klubin nga zona e ftohtë. Jam trajneri dhe duhet të jem me këmbë në tokë. Nëse nuk dalim nga kjo zonë, nuk mund të mendojmë për gjëra të tjera.”
DORËHEQJA – “Kam menduar tre ose katër herë dorëheqjen. Dy raste kanë qenë pas ndeshjes me Luftëtarin dhe pas humbjes ndaj Partizanit. Kur erdha nga Flamurtari këtu, mendoja se futbolli shqiptar ka disnivele të vogla dhe thashë se do rregulloja diçka, por nuk ndodhi kështu. I gjithë problemi im ishte se unë nuk e kisha idenë se çfarë niveli kishin lojtarët që kisha dispozicion.”
PRESIDENTI– “Marrëdhëniet më të mira që kam në klubi i kam me presidentin. Kemi bërë biseda private më ka thënë se është duke negociuar me donatorët potencial. Janë negociata dhe mund të zgjasin gjatë. Ai ashtu si të gjithë dëshiron ta shikojë Tiranën përsëri në nivele të mëdha.”