Sport Mema paralajmëron Tiranën: Luftëtari rival i rrezikshëm!

Mema paralajmëron Tiranën: Luftëtari rival i rrezikshëm!

Trajneri i bardhebluve, Ardian Mema, i trembet euforisë që vjen si rrjedhojë e disa rezultateve pozitive radhazi dhe për këtë arsye Mema kërkoi që skuadra e tij të japë maksimumin në fushë pasi bëhet fjalë për një ndeshje shumë delikate dhe shumë të vështirë, me numrit 1 të stolit të Tiranës që e cilësoi Luftëtarin e Julian Ahmatajt një ekip shumë të vështirë.

LUFTËTARI

“Gjatë javës kam folur me lojtarët. Kemi bërë mbledhje të shkurtra, sepse nuk doja që ekipi të kishte eufori pas ndeshjes me Kukësin. E kam konsideruar si një derbi, pasi duhet të fitojmë dhe të shkëputemi nga ajo zonë, që si të thuash na ka munduar shumë. Megjithatë kam parë ndeshjen e Luftëtarit me Flamurtarin dhe mendoj se është një ekip i fortë, me ekuilibër. Luajnë futboll të mirë. Ndeshja e nesërme ka problematikat e veta. Mendoj se do jetë shumë e fortë. Do fitojë ekipi që do jetë më i përqendruar dhe që do këmbëngulë më shumë në sulm”.

FITORJA DOMOSDOSHMËRI

“Kam dashur të mos i vë lojtarët në presion. Duhet të vazhdojmë me lojërat dhe nëse ndodh kështu, do kemi rezultate pozitive. Gjithsesi pa i vënë shumë në presion”.

RËNDËSIA E NDESHJES

“Një ndeshje ka tre rezultate. E kemi marrë në konsideratë si ndeshje. Jemi pranë Luftëtarit, por nuk është përcaktuese. Është një ndeshje radhe që duhet ta fitojmë, por jo duke u vënë nën presion. Duke punuar dhe duke luajtur mirë mund të zgjidhet kjo ndeshje. Ky takim mund të menaxhohet, qoftë edhe 1-0. Kjo nuk ndan çfarë ndodh me ne. Kemi shumë ndeshje të tjera të forta. Duhet ta kontrollojmë këtë ndeshje”.

RAPORTI ME TIFOZËT

“Tifozët e Tiranës janë nga ata që duan rezultat, nuk mund ta shohin Tiranën duke u përpëlitur në vendet e fundit. Kjo ka qenë që kur kam luajtur unë. Ata e duan në vendet e para. Mezi e presin një ditë të tillë. Më bëhet qejfi që janë kthyer në stadium dhe po vijnë edhe më shumë. Një nga forcat që ka ky klub është tifozeria. U kam bërë thirrje që të vijnë dhe ta përkrahin ekipin, sidomos për momentin që kemi kaluar. Do jenë një forcë më tepër. Ata të japin një lloj adrenaline që nuk përshkruhet me fjalë”.

NDRYSHIMI TE TIRANA

“Duhet koha e nevojshme që ekipi të përvetësojë idetë që ke në kokë. Ndoshta kjo periudhë ka përmirësuar anën psikologjike, mënyra e lojës dhe se si i kanë zbatuar detyrat. Ka pasur edhe një seleksionim i lojtarëve. Ka pasur lojtarë që ishin rezerva. Edhe mua më duhet kohë të kuptoj kush janë të gatshëm për të menaxhuar ndeshjet. Pastaj ka edhe raste ku nuk shfaqen kualitetet. Rezultatet kanë kthyer edhe anën psikologjike. Ka ikur ai stresi kur kundërshtari na kthente brenda një pjese loje. Do na bëjë mirë nëse vazhdojmë të fitojmë. Ka ende potencial që ky ekip të rritet”.