Memaliaj prej kohësh ka nisur të tërheqë vëmendjen e regjisorëve të huaj me kompanitë e tyre të prodhimit të filmit!
Pas një kompanie gjermane, ka mbërritur një tjetër kompani, e cila është ukrainase dhe shfrytëzoi për përshtatje, mjedisin e qytetit dhe rrethinat, pasi nuk mund të bënin xhirime në Ukrainë për arsyen të luftës. Kompania ukrainase, me aktorë dhe regjisorë, ishte e përbërë prej dhjetë ukrainas, ndërsa grupi xhirues, prej njëzet vetësh, të cilët ishin të gjithë shqiptarë, mund të kenë qenë të punësuar ose kompani shqiptare e kontrantuar.
Tematika e filmit ishte për pasqyrimin e gjendjes së mjerueshme dhe tragjike që po kalojnë familjet ukrainase, u morën pamje nga pallatet gjysmë të zhveshura nga suvatë, disa rrugica dhe nga riviera e Vjosës që përqafon qytetin. Në vazhdim, xhirimet u përqendruan tek parkimi i “Bujtina Vjosa”, ku dukej një nënë me vajzën e saj, të cilët braktisën apartamentin e tyre, të detyruar nga bombardimet dhe në kërkim të një strehimi buzë lumit, duke fjetur në afërsi të një zjarri dhe në qiell të hapur.
Jo pa qëllim u zgjodh ky vend, pasi në sfond nga ana e përtejshme të Vjosës, duket një gropë me perimetër shumë të madh dhe të thellë، e shkaktuar kjo nga një llufitje dhéu e kodrës, si pasojë e një shkarjeje tektonike me rreze prej 1000 m në thellësi të tokës, e lokalizuar vertikalisht nën shtratin e lumit. Kjo gropë gjigante, është shfrytëzuar për të ilustruar bombardimet edhe me rreze periferike nëpër qytetet ukrainase.
Edhe pse vendasit komunikuan me kompaninë në fjalë, nuk mundën të mësonin më shumë të dhëna.
Nuk dihet sesa kohë do zgjasë interesi i kompanive të huaja të xhirimit, pasi Memaliaj, ka pak kohë që po ndryshon në lidhje me mjedisin; pasi rrugët janë pothuajse të asfaltuara, disa pallate kanë mbaruar së suvatuari dhe të tjerat janë në proces.
Le të shpresojmë, që kjo vazhdimësi, të vijojë edhe në të ardhmen, ku jeta, ekonomia dhe mjedisi në Memaliaj, do të arrijë standardet e lakmuara në sajë të turizmit, falë hyjnisë së Vjosës!