Nga selia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ku përcolli urimet për festën e Kurban Bajramit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi çështjen e memorialit të vendosur nga Ambasada Turke pranë Parkut të Liqenit Artificial.
Veliaj theksoi se në këtë zonë janë mbi 50 pika ku përkujtohen ngjarje apo individë të ndryshëm dhe se për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata apo tradhti. “Në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre. Pushime të mbara të gjithëve dhe gëzuar festën”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se ata që ankohen për këtë çështje, as nuk u ka rënë në mendje për atë pjesë të Parkut e cila dikur ishte zaptuar e mbuluar me ferra e plehra. “Nuk i prish punë askujt. Më thonë është në cepin e Liqenit, ku shumica prej atyre që ankohen as iu ka rënë në mendje kur ishte mbuluar me ferra dhe kur digjej plastikë dhe ku zaptohej si territor. Lart, në katin e dytë të KMSH lashë duke u përqafuar drejtuesin e të krishterëve me drejtuesin e myslimanëve. Kjo është fryma e kësaj feste, të fokusohemi tek gjërat që na bashkojnë. Tek Liqeni dhe në të gjithë Tiranën ka vend për të gjithë”, nënvizoi Veliaj.