Erling Haaland, mund t’i kushtojë klubit të interesuar për blerjen e tij nga Borussia e Dortmundit 250 deri në 300 milionë euro, duke marrë parasysh të gjitha shpenzimet, për kartonin, pagën apo shpërblime të tjera. Kështu shprehet menaxheri i futbollistëve (mes shumë të tjerësh edhe i Toni Kroosit), Volker Struth, i cili e nxori këtë shifër astronomike gjatë një prononcimi për “Sport Bild”, ku u shpreh i bindur se transferimi “bomberit” norvegjez në një klub të ri do të ndodhë në vitin 2022.
“Haaland ka një klauzolë lirimi. E gjithë paketa, ku përfshihet gjithashtu paga pesëvjeçare dhe komisioni për menaxherin do të shkojë 250 deri në 300 milionë euro”, – tha ai.
Haaland, aktualisht i dëmtuar, iu bashkua Dortmundit në janar të vitit 2020 nga austriakët Salzburgut dhe ka kontratë deri në vitin 2024. Ka shumë klube të interesuara për nënshkrimin e tij, përfshirë Realin e Madridin, kështu që menaxheri i njohur e përjashtoi mundësinë që sulmuesi të qëndrojë në Bundesligë dhe t’i bashkohet Bayernit për shkak të shumave të mëdha që do të ishin në tavolinë, ku flitet për një pagë prej 50 milionë eurosh.
“Edhe nëse Bayerni do të kishte para, ata nuk do ta bënin. Do të bëhej skandal i madh nëse një lojtar në Gjermani do të fitonte 50 milionë”, – deklaroi Volker Struth, i cili beson se Haaland nuk do ta vendosë të ardhmen e tij “bazuar tek paratë”.