Sport Menaxheri: Rrahmami i Napolit, për Roshin interes nga Spanja

Menaxheri: Rrahmami i Napolit, për Roshin interes nga Spanja

Amir Rrahmani nga java e ardhshme do të jetë lojtar i Napolit. Një katapultim i jashtëzakonshëm për mbrojtësin e përfaqësueses kosovare, që nga fushat e Kosovës dhe Shqipërisë, brenda pak vitesh e gjen veten pjesë të futbollit të madh europian me një prej klubeve më të mëdhenj në Itali. Për herë të parë arritjen zyrtare të marrëveshjes mes mbrojtësit të Veronës dhe Napolit e zbuloi menaxheri i tij, Ardian Aliaj, në një intervistë për Sport News.

“Është vetëm ana teknike që ka mbetur për t’u mbyllur. Napoli e ndjek prej kohësh dhe le të themi se ishte proces tremujor që erdhëm deri këtu sot. Mendojmë ta finalizojmë zyrtarisht javën tjetër, por mund të them se Rrahmani është një lojtar i Napolit.”

Aliaj zbuloi dhe vështirësitë në arritjen e kësaj lëvizjeje dhe disa prej detajeve të kontratës.

“Të vish deri në këtë nivel që Napoli të hedhë sytë për ty, është kënaqësi për lojtarin dhe për mua si menaxher. Suksesin ndoshta nuk e prisnim kam shpejt, por është rrugë e vështirë. Rrahmani do të jetë zyrtarisht i Napolit nga janari, por do të vazhdojë në huazim te Verona deri në fund të sezonit. Kontrata është 5-vjeçare, lojtari është i kënaqur, kushtet janë optimale. Në të gjithë aspektet jemi të gjithë të kënaqur. Verona sidomos është e kënaqur që e bleu lojtarin 2 milionë euro dhe e shiti gati 15 milionë euro pas vetëm 3 muajsh”.

Aliaj menaxhon gjithashtu dhe dy emra të tjerë të njohur në futbollin e shqiptarëve, Mërgim Vojvodën dhe Odise Roshin. I pari i transferuar së fundmi te St.Liege, ndërsa për Roshin, Aliaj zbuloi se ka interesime në Spanjë nga një skuadër e Primera Divizion.