Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka qenë sot paradite në një biznes të vogël në Tiranë, ku është njohur nga afër me problemet që ka shkaktuar pandemia e COVID-19 në Ekonomi.
Basha ka komunikuar me menaxheren e këtij biznesi, Rolanda Cani, e cila ka treguar se xhiroja ditore është përgjysmuar.
“Xhiroja me të thënë të drejtën ka rënë shumë, për shkak të pandemisë, njerëzit janë tërhequr shumë edhe në zgjedhjen e produkteve. Kemi klientë që vinë, shohin edhe ikin. Pandemia i ka trembur shumë dhe i ka zënë shumë paniku. Xhiroja afërsisht bëhej 500 në turn. Ne 500 e bëjmë gjithsej xhiro totale. Ka rënë domethënë shumë. Sepse ne kishim produkte, siç e shikoni, dhe të gjitha produktet që shesim më shumë janë vetëm produktet e bulmetit, buka edhe lëngjet“, shprehet menaxherja.
Basha gjatë bisedës me përfaqësuesen e biznesit tha se qeveria nuk ka ndihmuar bizneset dhe shtoi se opozita ka propozuar një plan të qartë për të mos pasur këtë krizë kaq të theksuar.
“Problemi kryesor i kësaj krize që ka 7 vite, por që pandemia e ka rënduar dhe më shumë, është pamundësia e njerëzve për të siguruar ushqimin bazë. Dhe kjo reflektohet pastaj tek i gjithë zinxhiri, edhe zinxhiri prodhues e në veçanti tek prodhimet e vendit. Ju e dini, ne kemi dalë prej javësh me një paketë ndihme për njerëzit që nuk kanë të ardhura. Kemi kërkuar që të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë të kenë një ndihmë direkte nga shteti, kemi kërkuar që çdo familje shqiptare të ketë një ndihmë financiare. Kjo bëhet në radhë të parë për të ndihmuar njerëzit, për të ndihmuar familjet shqiptare, por po u ndihmuan ata do ndihmoheni dhe ju; se ato para çfarë do bëjnë? Do rrisin xhiron. Ata nuk kanë për t’i kursyer këto lekë, do t’i hedhin për të blerë konsumin e përditshëm“, u shpreh Basha.