Parqet arkeologjike janë një nga destinacionet e preferuar të pushuesve vendas dhe të huaj.
Edhe në vitin e pandemisë siç ishte 2020-ta në këto parqe ishin si vizitorë 78.552 vizitorë teksa në një vit normal siç ishte 2019 u regjistruan mbi 424 mijë vizitorë shumica e të cilëve të huaj.
Por a po i menaxhon me efektivitet Shqipëria këto asete?
Në fakt një studim të mirëfilltë mbi këtë aspekt ende nuk ka, por një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit hedh dritë mbi ngërçet e menaxhimit që paraqiten sa i takon këtyre parqeve.
Ky auditim ka konstatuar së pari së hierarkia e institucioneve qendrore dhe këshillave kombëtare që ekzistojnë brenda sistemit të trashëgimisë kulturore dhe procedurat e vendimmarrjes së tyre për sitet arkeologjike, nuk funksionojnë siç duhet.
“Ka një mbivendosje kompetencash në procedurat e vendimmarrjes dhe mosrespektim të hierarkisë së institucioneve qendrore brenda sistemit të trashëgimisë kulturore”.
Nga ana tjetër auditimi ndalet në faktin se për parqet Arkeologjike nën subjekt auditimi Apolloni, Bylis, Amantia Orikum nuk janë hartuar ende plane për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurive kulturore referuar nenit 45 dhe 46 të legjislacionit te ri, Ligjit Nr. 27/2018. Realizimi i këtyre planeve sipas KLSH kërkon studim gjithëpërfshirës dhe angazhim të të gjithë institucioneve përgjegjës, por deri me sot nuk ka asnjë arritje në këtë drejtim për parqet e sipër përmendura.
Parqet arkeologjike Bylis, Amantia dhe Orikum nuk kanë ndriçim dhe nuk janë të mbuluara me ruajte fizike. Në këtë kontekst është rekomanduar që të merren më shumë masa për mbrojtjen e këtye aseteve.
I njëjti raport vlerëson se numri i punonjësve përveçse është i vogël për të mbikëqyrur parqet, punon pa një plan të mirëpërcaktuar.
“Strukturat e sipërpërmendura nuk janë të mjaftueshme për të kryer funksionin e ruajtjes fizike të siteve. Përveç Parkut Arkeologjik të Butrintit e Apollonisë të cilët ruhen me roje private, Parqet Bylis, Amantia dhe Orikum nuk kane asnjë punonjës për ruajtjen e tyre”.
Një tjetër problem që haset në raportin e KLSH është ai për infrastrukturën që shoqëron këto parqe që në shumë raste vështirëson aksesin e turistëve.
Të tilla janë gjendja e degraduar e rrugës që i bën shumë të vështira vizitat e turistëve në parkun
arkeologjik të Bylisit apo procedurat dhe kriteret që duhet të përmbushen për të pasur akses në parkun arkeologjik të Orikumit.
“Ka pamjaftueshmëri tabelash orientuese për në parkun arkeologjik Apoloni, si dhe mungon tabela rrugore standarde, që orienton vizitorët për te lënë rrugën e Lumit të Vlorës dhe për t’u ngjitur në drejtim të kodrës, ku ndodhet siti arkeologjik i Amantias. Lëvizja e vizitorëve për në sitet e largëta të Bylisit dhe të Amantias nuk është e mbuluar aspak nga linjat e transportit publik. Ndërkohë që po në Amantia prej vitesh mbetet i pazgjidhur problem i staneve ngjitur me parkun” sipas KLSH.
Sa i takon parkut të Butrintit auditimi nënvizon se ka mungesë të ndjeshme vendesh parkimi për makinat dhe autobusët, me të cilat udhëtojnë vizitorët, radhë të gjata në biletari apo mungesë të kushteve higjeno-sanitare.