Edhe këtë vit, merkato e verës mbetet mjaft e nxehtë për futbollistët e kombëtares. Mbi të gjitha për ata që mbyllën një sezon pa shkëlqimin e pritur.
Mërgim Mavraj pritet të largohet nga Ingolstadt, skuadër e cila nuk arriti të siguronte mbijetesën dhe ra në ligën e tretë.
Kapiteni kuqezi mund të aktivizohet sërish në Bundesligën 2 gjermane, pasi interesim konkret ka nga Greuther Furth, ekip me të cilin 33-vjeçari ka luajtur nga viti 2011 deri më 2014-ën.
Të reja të rëndësishme ka edhe për Bekim Balajn, me sulmuesin që pas largimit nga çeçenët e Akhmat Grozny, të cilët militonin në Premier Ligën ruse, tashmë mund të transferohet në Kore.