Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel dënoi ashpër sulmin rus ndaj Ukrainës sot dhe tha se është një “shkelje e dukshme e ligjit ndërkombëtar” dhe një “agresion”.
“Ky agresion i ndërmarrë nga Rusia shënon një pikë të rëndësishme kthese në historinë e Europës pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Nuk ka asnjë justifikim për këtë shkelje të dukshme të ligjit ndërkombëtar dhe unë e dënoj ashpër atë”, tha Merkel, raporton Deutsche Welle.
Ajo tha se në këtë moment, solidarizohet me popullin ukrainas dhe udhëheqjen e tij.
“Mendimet dhe solidariteti im janë në këto momente të tmerrshme me popullin ukrainas dhe qeverinë e presidentit Volodymyr Zelensky”, theksoi ish-kancelarja.
Ndërsa ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser tha se Gjermania nuk ka ndërmend të dërgojë armë në Ukrainë.
“Ne nuk jemi për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe asgjë nuk ka ndryshuar në këtë qëndrim”, tha Faeser për ZDF.
Kur bëhet fjalë për mijëra ukrainas që ikin nga vendi i tyre nga lufta, ajo tha se Gjermania është e përgatitur për “gjithçka që po vjen”. Ajo falënderoi shtetet që po bëjnë përgatitjet dhe ofroi ndihmë në rast se vala e refugjatëve arrin në Gjermani.
Faeser vuri në dukje se tani është e rëndësishme të ndihmohen vendet fqinje të Ukrainës.
Lidhur me sulmet e mundshme kibernetike ruse si mjet lufte, ajo tha se sulme të tilla tani janë të përqendruara në Ukrainë.