Bota Merkel dhe fushata e çuditshme elektorale gjermane

Merkel dhe fushata e çuditshme elektorale gjermane

Pas pushimesh të gjata, Angela Merkel do të fillojë të angazhohet sot, gjashtë javë larg legjislativeve, në një fushatë që pritet të jetë e thjeshtë pasi kancelarja duket e paprekshme.

Do të jetë në Dortmund, në perëndim të vendit, ku kryetarja konservatore do të marrë pjesë në një miting që do të shpallë edhe konkurrimin e saj për mandatin e katërt, që e pret krahëhapur.

Larg nga fillimi i vitit kur sfiduesi i saj socialdemokrat, Martin Schulz, dukej se ishte në gjendje ta mposhte, sot CDU-ja e Angela Merkelit jepet nga sondazhet se arrin 37-40 për qind të pëlqimeve, ndërsa SPD-ja mes 23 dhe 25 për qind.

Megjithatë, kreu i SPD-së nuk duket se është kursyer në përpjekiet e tij për t’u distancuar nga kancelarja, ndonëse partia e tij vazhdon të jetë në një koalicion qeverisës duke shtuar propozimet kundër pabarazive sociale, duke takuar elektoratin në të gjithë vendin dhe duke dalë në të gjitha intervistat.

Përfito nga vera

Përballë, vetëm heshtje.

Merkel, një mjeshtre e vërtetë e shmangies, gati nuk ka thënë asgjë, nuk ka bërë asgjë për asnjë tematikë polarizuese, asnjë linjë ndarëse nuk është shfaqur.

“Fushata elektorale nuk është as e ngrohtë, as e ftohtë, madje as e vakët, ajo është asgjë. Padyshim që është fushata elektorale më e çuditshme në historinë e republikës”, thotë komentuesi, Heribert Prantl për “Süddeutsche Zeitung”.

Megjithatë, disa nuanca janë dhënë nga posterat e CDU-së si “Përfitoni tani nga vera, më pas bëni zgjedhjen e duhur në vjeshtë”.

Politologu, Timo Lochocki i “German Marshall Fund” konstaton gjithashtu këtë monotoni.

“SPD-ja nuk mund ta polarizojë fushatën e vetme, pasi CDU-ja nuk po i përgjigjet. Pra fushata po vdes”, thotë ai.

Martin Schulz është përpjekur t’i japër një elektroshok duke akuzuar Merkelin se po dëmton parimet demokratike duke refuzuar luftën.

 

“Një kancelare që nuk i thotë zgjedhësve të saj atë që synon të bërë, neglizhon detyrën e saj dhe vë në rrezik të ardhmen e vendit tonë”, kishte theksuar ai në një intervistë për “Spiegel”.

Por, kjo lëvizje nuk ka funksionuar.

Heribert Prantl analzion se “nëse ‘mendjemadhësia’ e Angela Merkel përbën në fakt një problem për debatin demokratik, Schulz nga ana e tij duket sikur është i irrituar si mos më keq. Ai është djali i vogël që ankohet sepse shoqja e tij nuk do të luajë me të”.

Nga ana tjetër kancelarja shfaqet si një mburojë, një garantuese e stabilitetit, e rendit në një botë gjithnjë e më shqetësues, ndërsa ekonomia gjermane shkon mirë, me një rritje të vazhdueshme dhe një papunësi të ulët.

Krejt papritur, Martin Schulz është i detyruar të pranojë se kancelarja nuk ka përse të skuqet për bilancin e saj.

“Është e qartë që Angela Merkel ka shumë merita. Po, është e vërtetë që Gjermania po ecën mirë”, pranon ai për “Spiegel”, para se të shtojë në formën e një kritike se nuk do të thotë që të gjithë jetojnë mirë në Gjermani.

Për shumë vëzhgues, e panjohura e zgjedhjeve të 24 shtatorit është të dihet nëse Merkel do të krijojë një koalicion me SPD-në, apo me liberalët e FDP-së, apo këtë herë do e kenë radhën të Gjelbërtit të hyjnë në qeveri.

Martin Schulz mund të ngushëllohet me një rënie prej 10 pikësh të popullaritetit të kancelares këtë javë, megjithatë ajo vazhdon të ketë 59 për qind të opinionit në favor./ ATSH-AFP/