Turneu i lamtumirës i Angela Merkelit si kancelare bëi një ndalesë në Francë, e ftuar nga presidenti Emmanuel Macron. “Faleminderit që më mësove kaq shumë”, thotë presidenti francez, duke e dekoruar me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit, çmimi më i rëndësishëm francez për personalitetet botërore.
Në videon e postuar në Twitter, ai i jep Merkel dokumentin që dëshmon vizitën e saj të parë në Francë kur ishte zëvendës-zëdhënëse e një delegacioni të RDGJ-së në vitin 1990, përpara ribashkimit të dy Gjermanive.
Reagimi i Angela Merkelit është emocionues: ajo buzëqesh, prek supin e presidentit francez dhe më pas hidhet në një përqafim lamtumire.
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) November 3, 2021
Gjatë ceremonisë në kështjellën e Vougeot, afër Beaune, në Burgundy, Macron donte të falënderonte kancelaren, “që pranoi këtë president të ri të vrullshëm që donte të shkundte gjithçka, faleminderit për durimin dhe kënaqësinë ndaj meje“.
Ai më pas shtoi: “Ju e keni pranuar këtë energji, ndonjëherë ndoshta këtë sjellje me shumë dashamirësi dhe urtësi dhe nga kjo kam mësuar shumë”.
“Franca ka mësuar të të njohë dhe më pas të të dojë”, tha Macron, duke renditur arritjet dhe punën e Merkelit me presidentët francezë që ajo ka njohur ndër vite.
“Ju keni kontribuar në mbajtjen e Europës të bashkuar pavarësisht nga të gjitha pengesat,” shtoi presidenti francez.
Vizita e fundit e Merkelit ishte në qytetin e Beaune në rajonin e verës në Burgundy, ku ata vizituan një ish-spital i shekullit të 15-të.
Dy udhëheqësit europianë darkuan në “Château du Clos de Vougeot”, një monument që daton në shekullin e 12-të, në mes të vreshtave të Burgundisë.
Angela Merkel do të largohet nga posti i kancelares në dhjetor pas 16 vitesh nga fillimi i mandatit të saj të parë për t’ia lënë vendin Olaf Schoolz. Të pranishëm në kështjellën franceze ishin edhe bashkëshortët respektivë, Joachim Sauer dhe Brigitte Macron.