Kancelarja gjermane, Angela Merkel është duke synuar një raund të shpejtë bisedimesh me socialdemokratët e qendrës së majtë për të krijuar një koalicion të ri dhe për t’i dhënë fund ngërçit aktual politik në ekonominë më të madhe të Evropës pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.
“Ne tani po përqendrohemi në formimin e një qeverie të qëndrueshme”, deklaroi dje Merkel përpara takimit që do të zhvillohet nesër me liderin e SPD-së, Martin Schulz.
“Bota pret që ne të veprojmë”, tha Merkel duke shtuar se Franca dhe Evropa e shihnin të nevojshme një qeveri të qëndrueshme në Berlin.
Deklarata e kancelares Merkel vjen pas një raundi takimesh të konservatorëve të saj të Unionit Kristiandemokratë (CDU).
Takimet e CDU-së kanë shërbyer si një përgatitje për takimin e nesërm me liderin e SPD-së, Martin Schulz.
Gjatë takimit që do të zhvillohet nesër mes konservatorëve të CDU-së dhe liderit të SPD-së, Martin Schulz, Merkel shpreson të formojë një koalicion të ri qeveritar CDU-SPD të cilin ajo e ka drejtuar për tetë vite rradhazi nga 12 vitet e saj në pushtet.