Kancelarja Angela Merkel viziton Athinën. Ndryshe nga vizita e saj e fundit në 2014, mikpritësit janë me humor të mirë. Megjithatë ka një pikë mosmarrëveshjeje që shkakton ende tension.
Nga Janis Papadimitriou – DW
Kriza e borxheve i pat rënduar marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Greqisë: Si politikan i opozitës, Aleksis Cipras ankohej me të madhe, para se të merrte postin e kryeministrit (2015), kundër “diktatit të Berlinit për kursime”, ndërsa politikanët gjermanë tërthorazi u thoshin grekëve të dilnin nga zona e euros. Por që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar: brenda një kohe rekord Ciprasi, si kreu i qeverisë, u bë realist, i zbatoi të gjitha masat e shkurtimit të buxhetit dhe bashkëpunoi në përballimin e krizës së refugjatëve në Evropën Jugore.
Kjo është arsyeja pse udhëtimi i Angela Merkelit në Athinë shihet si shenjë pozitive, thotë Jorgos Xogopulos, lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Trakës. “Kjo vizitë sinjalizon mbështetje nga Berlini për zbatimin e reformave ekonomike në Greqi,” thotë Xogopulos në një intervistë me DW. Duket se kancelarja sheh te Ciprasi një politikan që nxjerr mësime nga gabimet e tij.
Katër vjet më parë, Tsiprasit “iu desh të pranonte një kompromis poshtërues”, thotë Tassos Papas, gazetar për çështje politike dhe autor editorialesh për gazetën e majtë “Editors”. “Por, me kalimin e kohës, ai arriti të pavarësohej ca nga donatorët”. Si shembull, ai përmend vendimin e Kryeministrit për të anuluar shkurtimet e pensioneve për vitin 2019 që ishte bërë me udhëzim të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Edhe paralajmërimi i Cipras-it për rritjen e pagës minimale dhe lejimin e fillimit të negociatave tarifore duket se është pritur me dashamirësi. Përfundimi i gazetarit Papas: Madje tani as donatorët nuk janë më përfaqësues të doktrinës së masave shtrënguese.
Shqetësim për emrin e ri të Maqedonisë
Shumë më e rëndësishme se reforma ekonomike është kompromisi i fundit për emrin e Maqedonisë, thotë Papas. Sa për kujtesë: Në verën e vitit 2018, Greqia dhe Maqedonia ranë dakord ta zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre të gjatë për emrin, në të ashtuquajturën Marrëveshje të Prespës, ku u vendos që fqinji verior i Greqisë të quhet “Maqedonia e Veriut”.
Javën e kaluar, një nga zëdhënëset e qeverisë gjermane, Martina Fietz, tha në Berlin se qeveria gjermane e përshëndet marrëveshjen, por pranoi edhe se miratimi i Parlamentit grek nuk është ende i sigurt, edhe pse për të do të mjaftonte një shumicë e thjeshtë prej 151 nga 300 vota gjithsej. Partia qeverisëse Syriza ka vetëm 145 vende dhe nuk mund ta zbatojë marrëveshjen pa ndihmë. Partia populiste e krahut të djathtë ANEL, e cila i shërben Ciprasit si një partnere e vogël dhe plotësuese e shumicës, e kundërshton marrëveshjen e emrit dhe ka paralajmëruar se do të largohet nga qeveria nëse marrëveshja zbatohet. Çfarë duhet bërë?
Gazetari Papas beson megjithatë se Ciprasi do ta mbledhë shumicën e nevojshme me ndihmën e disa partive të vogla.
Edhe më i rëndësishëm konsiderohet reagimi i kreut të opozitës konservatore, Kyriakos Micotakis, i cili deri më tani e kundërshton kompromisin për Maqedoninë. “Por është e çuditshme,” vëren analisti nga Athina, “po të kemi parasysh Partinë Popullore Evropiane – familjen partiake konservatore të Evropës – aty ka vetëm dy parti që kundërshtojnë këtë kompromis, përkatësisht Demokracia e Re në Athinë dhe VMRO-ja në Shkup “.
Papas beson se Merkel do të ndërhyjë personalisht për këtë çështje. “Micotakisi nuk do të ndryshojë mendjen për mosmarrëveshjen e emrit, por Kancelarja ndoshta do të bëjë presion të nevojshëm, që së paku ai të miratojë anëtarësimin e vendit fqinj në NATO”, thotë Papas.
Atmosfera është e mirë
Vizita e fundit e Angela Merkelit në Greqi, në vitin 2014, duket sikur i përket një epoke tjetër. Në kulmin e krizës së borxheve, kryeministri konservator Antonis Samaras përpiqej asokohe për ta prezantuar mysafiren si mikeshë të fortë të vendit. Megjithatë, ai ishte vetë i pakënaqur meqë pikërisht Kancelarja, që i përkiste të njëjtës familje sikurse edhe ai vetë, po ia refuzonte dëshirat speciale të tij për politikat financiare. Politikani i majtë Alexis Cipras – atëherë në opozitë – e akuzonte Merkelin se kishte ardhur në Athinë vetëm për të “mbështetur sistemin e korruptuar në pushtet”. Sindikatat bënin thirrje për protesta, madje edhe gazetarët e televizionit shtetëror ERT hynë në grevë.
Pamjet pa komente që shfaqeshin në televizion me Samarasin dhe Merkelin duke shëtitur nën agrumet e lagjes qeveritare në Athinë dukeshin sa surreale aq edhe poetike. Sot mikpritësit e Merkelit janë me humor të mirë. Angela Merkel do të qëndrojë një natë aty dhe do të vizitojë me nge edhe shkollën gjermane të Athinës, e cila që prej vitit 2011 ka fituar titullin “ekselente”. Sipas medias, Cipras dhe Merkel, do të shkojnë edhe për të ngrënë peshk së bashku, në portin e Pireut, buzë detit, ashtu siç u takon mysafirëve të mirëseardhur.