Aventura e Tiranës në Ligën e Kampionëve ka marrë fund në turin e dytë eliminator, pasi bardheblutë u mposhtën me rezultatin minimal 0-1 nga serbët e Crvena Zvezdës, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.
Derbi ballkanik u bë edhe më interesant për rrethanat historike mes dy popujve, por në fushën e lojës u mendua vetëm për të luajtur futboll dhe bardheblutë e Emanuel Egbo dhuruan një paraqitje të mirë në fushë, por fatin nuk ishte në anën e tyre.
Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa në pjesën e dytë ishte Muçi ai që mund të shënonte golin e avantazhit për ekipin e drejtuar nga Emmanuel Egbo, por goditja e tij me të majtën nga brenda zonës u devijua nga portieri dhe përfundoi në shtyllë.
Vetëm disa minuta më vonë, Crvena shënoi pas një goditjeje këndi me anë të portugezit Tomane (62’).
Tirana mund të kishte barazuar me anë të Cobbinah, por ganezi nuk arriti dot të mposhtte portierin serb kur u gjend ballë për ballë me të, pasi topi i goditur nga ai me të djathtën përfundoi mbi traversë.
Vërshëllima finale e arbitrit suedez Sjoberg la në fuqi rezultatin minimal 0-1 në favor të serbëve, që do të vijojnë aventurën në Ligën e Kampionëve, ndërsa Tirana do të duhet të kënaqet me faktin që tani do të luajnë në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës.