Bota Merr fund lufta më e gjatë në historinë e Amerikës

Merr fund lufta më e gjatë në historinë e Amerikës

Lufta më e gjatë e SHBA mori fund: Pas 20 vitesh, ushtria amerikane u tërhoq nga Afganistani. Edhe ushtarët e fundit u larguan pak para përfundimit të afatit më 31 gusht.

Avioni i fundit i ushtrisë amerikane u nis natën e së martës nga aeroporti i Kabulit, bënë të ditur forcat e armatosura amerikane. Me këtë mori fund edhe misioni ushtarak amerikan në Afganistan. Presidenti amerikan, Joe Biden kishte urdhëruar tërheqjen e plotë të trupave amerikane deri më 31 gusht.

“Jam këtu për të bërë të ditur përfundimin e tërheqjes sonë nga Afganistani dhe fundin e misionit amerikan për evakuimin e qytetarëve amerikanë, qytetarëve nga shtete të treta dhe afganëve të rrezikuar”, tha kreu i komandos qendrore të forcave amerikane, gjenerali Keneth McKenzi, që u lidh me Pentagonin në një konferencë me video. Edhe ambasadori amerikan u largua nga Afganistani me avionin e fundit C-17. Megjithatë bëhet e ditur, se vazhdon misioni diplomatik, për të mundësuar largimin e afganëve të tjerë të rrezikuar.

Talibanët radikalë-islamikë e festuan me të shtëna me armë tërheqjen e plotë të SHBA. “Ne kemi shkruar sërish histori”, tha një zëdhënës i lartë i talibanëve, Anas Hakkani në Twitter. “Pushtimi 20-vjeçar i SHBA dhe NATO-s mori fund natën e sotme”. Hakkani shkroi se është “shumë i lumtur pas 20 vitesh xhihad, sakrifikime dhe mjerimi të përjetojë këtë moment historik”. Kurse zëdhënësi i talibanëve, Sabiullah Mudxhahid shkroi në Twitter, se vendi i tij ka arritur pavarësinë e plotë.

Ambasada e SHBA zhvendoset në Doha

Me tërheqjen e trupave, SHBA mbyllin edhe prezencën diplomatike në Kabul dhe e zhvendosin ambasadën në Doha. Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken në Uashington, duke iu referuar “mjedisit të pasigurtë të sigurisë dhe gjendjes politike“, u shpreh, se vendi i tij hap një kapitull “të ri” me Afganistanin. “Misioni i ri diplomatik” do të drejtohet nga një “ekip i ri” nën drejtimin e Ian McCary në Doha. Blinken theksoi, se Uashingtoni do të “bashkëpunojë” me talibanët, nëse ata i respektojnë “detyrimet e tyre”. Pushtetarët e rinj në Afganistan duhet të “meritojnë” legjitimitetin dhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Një numër i vogël prej 100-200 qytetarësh amerikanë gjenden ende në Afganistan, sipas Blinken. SHBA po përpiqet edhe pas përfundimit të misionit të shpëtimit të mundësohet largimi nga Afganistani.

Misioni ushtarak filloi para 20 vjetësh

Largimi i avionit të fundit amerikan shenjon edhe fundin e misionit 20 vjeçar ushtarak në Afganistan. SHBA dhe aleatët perëndimorë hynë ushtarakisht në Afganistan pas atentateve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork. Brenda një kohe të shkurtër, aleanca ushtarake perëndimore i largoi nga pushteti talibanët, që i kishin ofruar mbështetje rrjetit terrorist të Al-Kaidës. Megjithatë Afganistani asnjëherë nuk gjeti paqe, konflikti i përgjakshëm zgjati për dy dekada dhe konsiderohet si një nga “luftërat më të gjata” të SHBA. Qeveria e presidentit të mëparshëm, Donald Trump në shkurt 2020 i premtoi talibanëve largimin e plotë nga Afganistani. Për këtë talibanët duhet të ndërprisnin të gjitha lidhjet me Al-Kaidën, të mos ushtronin më sulme ndaj trupave perëndimore dhe të fillonin bisedimet e paqes me qeverinë afgane.

Pikërisht në kohën e reduktimit të trupave amerikane, talibanët radikalë-islamikë marshuan në Kabul para dy javësh dhe morën rrufeshëm pushtetin. Pas kësaj pasoi një mision dramatik evakuimi nga aeroporti i Kabulit, për të larguar qytetarët perëndimorë dhe forcat lokale të ndërkombëtarëve nga Afganistani.

Të hënën Këshilli i Sigurimit apeloi ndaj talebanëve me një rezolutë që të mundësojnë largimin e “sigurtë” të afganëve dhe qytetarëve të tjerë perëndimorë nga Afganistani. 13 vende votuan për rezolutën. Fuqitë me të drejtë vetoje Kina dhe Rusia abstenuan. Rezoluta bazohet në një deklaratë të talibanëve, sipas së cilës, afganët në çdo kohë mund të udhëtojnë jashtë vendit dhe mund të largohen si me rrugë tokësore edhe ajrore.