Mrekullia suedeze me pandeminë duket se ka marrë fund. Nuk pati valë të parë COVID kur kishte i gjithë kontinenti, por e dyta duket se e ka mbërthyer vendin nordik duke e detyruar të verë në zbatim masat ekstreme që i ka shmangur deri më tani.
Në daljen e tij më të fundit, Kryeministri Stefan Lëven shpalli për të parën herë gjendjen e shtetrrethimit prej 20 nëntorit deri në fund të shkurtit. Parashikohet mbyllja e çdo aktiviteti dhe ndalimi i daljes së qytetarëve pas orës 22:00 të natës deri në 06:00 të mëngjesit.
“Të gjithë treguesit flasin se po ndiqet rruga e gabuar. Infeksionet po përhapen me shpejtësi dhe vetëm javët e fundit është më shumë se dyfishuar numri i të shtruarve në spitale”.
Lëven e konsideroi Nëntorin si muajin më të zi dhe tha se qytetarët kanë lënë pas dore respektimin rigoroz të masave, çka është bërë shkak për rritjen e rasteve të infektimeve.
Javën e kaluar, u shënua rekordi prej mbi 4700 infektimesh ditore, teksa në periudhën Mars – Maj kur e gjithë Europa ishte mbyllur në karantinë, infektimet ditore kanë qenë 3 herë më të ulta.
Kjo e bëri të panevojshme në atë kohë vendosjen e karantinës kombëtare në këtë vend, çka e bëri Suedinë shembull suksesi në gjithë globin për kapërcimin e pandemisë pa pasoja të rënda në ekonomi.
Por tani që vjeshta ka mbërritur, shtrimet në spital për Covid-19 në Suedi janë më të larta se në pjesën tjetër të Europës dhe 20% e njerëzve që i janë nënshtruar testit janë pozitivë në Stokholm. Me pak fjalë, vala e dytë goditi rëndë, pavarësisht nga imuniteti i tufës që duhej të ishte krijuar falë mungesës së bllokimit. “Deri më tani strategjia suedeze ka qenë një dështim”, i tha “Financial Times” Lena Einhorn, virologe suedeze, kritike për qasjen e adoptuar. “Katër ditë më parë i kishim tetë herë më të larta se Finlanda rastet në raport me numrin e popullsisë dhe tre herë e gjysmë më shumë se Norvegjia. Ata duhej të ishin më keq se ne në vjeshtë, sepse ne do të kishim imunitet”.
Çfarë ndodhi? Epidemiologu-guru i qeverisë Anders Tegnell nuk jep shpjegime: “Është një mister i madh të kuptosh se kush e ka arritur imunitetin dhe kush jo“, tha ai për Financial Times, duke vazhduar megjithatë të argumentojë se strategjia e miratuar është më e qëndrueshme. Por të dhënat, tani për tani e bëjnë atë përgjegjës.