Salih Akkurt, një 42-vjeçar nga Konya e Turqisë, ishte i dënuar për disa vepra të rënda penale në vendin e tij të lindjes. Por për t’i shpëtuar dënimit me 21 vjet burg, kishte zgjedhur qytetin e Pogradecit.
Pikërisht në këtë qytet kishte vijuar ‘profesionin’ e tij, atë të mashtrimit, duke u hequr si fizioterapist. Megjithatë arratia e tij mori fund, falë një operacioni të autoriteteve policore shqiptare, të cilat e mbajtën për disa ditë në vëzhgim për ta arrestuar më pas në shëtitoren “10 Dëshmorët e Pojskës”.
Në njoftimin e saj për mediat, Policia e Shtetit sqaron se Akkurt “ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës është njoftuar nga Interpol Ankara, Turqi, se për këtë shtetas, më datë 05.05.2022, është lëshuar urdhër arresti nga Prokuroria e Izmirit, Turqi, në zbatim të vendimit nr. 2020/8992, të datës 30.12.2020, në bazë të të cilit, 42-vjeçari është dënuar me 21 vite, 10 muaj e 15 ditë burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vite e 1 ditë burgim, për veprat penale “Mashtrimi i rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave te kredit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, të parashikuara nga legjislacioni turk”.
Gjatë kontrollit fizik autoritetet i gjetën dhe sekuestruan çeqe në shuma të mëdha monetare 42-vjeçarit. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ankara dhe agjencitë ligjzbatuese vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Turqisë.