Bursa Shqiptare e Energjisë nisi zyrtarisht operimin këtë të martë, duke çelur ankandin e parë të tregut të ditës në avancë. Projekti është shoqëruar me zvarritje të vazhdueshme dhe shkelje afatesh, ku më i fundit ishte ai për funksionimin e ALPEX brenda muajit mars 2023. Autoritetet nuk japin shpjegime për vonesat e jetësimit të kësaj platforme, ndërkohë që nga verfikimet rezulton se deri në fund të marsit, ALPEX ka bërë procesin e regjistrimit të anëtarëve, ku janë listuar pesë kompani publike të sektorit të energjisë.
Esmeralda Topi – Faktoje.al
“Ky është një vit i shënuar pasi unë duhet të them që marsi është muaji kur ne do të kthejmë operative dhe do të jetë tashmë një e re e shumëpritur, bursën energjetike shqiptare.” – deklaroi ministrja e Energjisë Belinda Balluku më 10 mars gjatë një konference për energjinë teksa justifikoi edhe vonesat e shumta të këtij projekti me këtë argument:
“E kemi deklaruar disa herë si kohë dorëzimi, por gjithmonë ka pasur problematika pasi ne nuk punojmë vetëm, punojmë me partnerë dhe partnerët padyshim ndikohen nga krizat, problematikat dhe nga gjithçka tjetër. Kështu që na është dashur ta shtyjmë disa herë afatin e dorëzimit. Por të gjitha palët tashmë deklarojnë se fundi i marsit do të jetë data e shumëpritur e aktivizimit të bursës energjetike shqiptare, ALPEX e cila pa dyshim do të garantojë transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve.”
Por koha tregoi se edhe këtë herë afati për nisjen e operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë u shkel.
Nga një verifikim i Faktoje rezulton se deri në fund të muajit mars, ALPEX nuk nisi operimin e shumëpritur, sikurse deklaroi ministrja e energjisë Belinda Balluku.
Nga kërkimet rezulton se në fund të muajit mars, Bursa Shqiptare e Energjisë nisi regjistrimin e anëtarëve të saj. Sipas të dhënave publike, pesë anëtarët e parë të listuar pranë ALPEX janë kompanitë publike të sektorit të energjisë si KESH, OST, OSSH, FTL dhe FSHU.
Shqipëria zyrtarisht me Bursë Energjie
Më 11 prill, ALPEX realizoi ankandin e parë të tregut të ditës në avancë duke materializuar nisjen zyrtare të operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë.
“Fillimi i operimit të ALPEX-it fillimisht për zonën e ofertimit të Shqipërisë e më pas bashkimin e tregjeve Shqipëri dhe Kosovë përfaqëson më shumë se sa një treg të organizuar të energjisë. Është një konfirmim për fuqinë e bashkimit rajonal. Është gjithashtu një mbrojtje shtesë në një kohë kur siguria e energjisë është bërë çështje parësore ndaj rritjes së konsiderueshme të çmimeve, të cilat kanë shqetësuar jo pak ekonomitë tona.” – tha Drejtori i Përgjithshëm i ALPEX, Sokol Dishnica gjatë ceremonisë që shenjoi nisjen e operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë, e dyta në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Sot jemi këtu për të kurorëzuar një punë pesë vjeçare, një punë e cila në disa momente dukej si e pamundur sikur nuk do zgjidhej kurrë, sikur nuk do përfundonte kurrë por ndërkohë viti 2022 ka shënuar nevojën ekstreme të të pasurit një bursë energjie për Shqipërinë dhe për Kosovën.” – theksoi ministrja e energjisë Belinda Balluku në fjalën e saj, teksa shtoi se sfida e radhës është krijimi i likujditetit të nevojshëm.
“Ky është vetëm hapi i parë, pra zyrtarisht tashmë kemi një bursë energjitike e dyta në rajon e cila i përket Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Do jetë vështirë? Patjetër do të jetë vështirë. Për të krijuar likuiditete do të jetë një sfidë e re.”, tha më tej Balluku.
Si e vlerësojnë ekspertët dhe bizneset?
Ekspertët e energjisë dhe aktorë të tregut të energjisë e shohin funksionimin e Bursës si një mundësi për rritjen e konkurrueshmërisë në tregun shqiptar të energjisë. Po ashtu, vënia në punë e saj sipas ekspertëve do të rrisë transparencën.
Anduel Çekrezi, përfaqësues i kompanisë ‘Euroelektra’, që merret me zhvillimin e projekteve fotovoltaike e cilëson si hap historik hapjen e një Burse Energjie në vendin tonë.
“Më në fund pas shumë vitesh diskutimesh kemi Bursën e Energjisë ku palët mund të blejnë dhe të shesin energjinë elektrike sipas rregullave. Ky është një hap i rëndësishëm për demokratizimin e tregut elektroenergjetik shqiptar dhe atë të Kosovës. Mbetet ende për të parë se si do të vazhdojë procesi i anëtarësimit të aktorëve privatë në bursë, por unë jam optimist se Bursa do të jetë një histori suksesi pasi është një “Must” për tregun e energjisë elektrike si i lirë dhe i hapur për çdokënd. Sidomos për ata prodhues të cilët nuk kanë pse të presin kontrata shitjeje energjie me shtetin, pra para nga buxheti i shtetit por ta shesin energjinë e tyre në bursë.”
Ndërsa eksperti për çështjet e energjisë Azmer Duleviç, teksa e vlerëson si hap pozitiv nisjen e operimit të Bursës, argumenton se përse është skeptik mbi funksionalitetin e saj në të ardhmen.
“Nëse Bursa do të funksionojë siç duhet, është një instrument shumë i mire, sepse në vetvete bursa nuk merr pjesë në shitje apo në blerje energjie, thjesht është një instrument rregullator midis prodhuesve, brokerave, blerësve. Uroj që kjo nismë të mos përfundojë si disa projekte të tjera të energjisë, që nisin me bujë dhe zbehen më pas duke ‘ngecur’ rrugës.”
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ALPEX u themelua më 5 tetor të 2020 me aksionerë kryesorë operatorët e transmetimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërsa platforma e tregtimit të saj u ndërtua nga një konsorcium grek në janar të këtij viti.