Ka shënuar një pikë kthese hetimi për vrasjen e 38 vjeçares shqiptare Anila Ruçi në Pavia të Italisë. Karabinierët arrestuan Osman Bilyhun, 38 vjeç, një shqiptar, i cili jetonte me viktimën dhe dyshohet se ishte bashkëjetuesi i saj.
Ai u vu në pranga nga policia në Poliklinikën San Matteo në Pavia, ku ndodhet i shtruar në spital që nga mbrëmja e së mërkurës, pasi u plagos me thikë.
Burri është paraqitur nga viktima si vëllai i saj, por në realitet duket se mes tyre nuk ka pasur lidhje familjare. Viktima, e cilësuar nga fqinjët si dashamirëse dhe e qeshur. Alarmi për vdekjen e saj u ngrit nga një fqinj i saj i cili kishte dëgjuar ulërima, ndërsa më pas kishte hasur Osmanin më plagë në trup duke dalë nga shtëpia.
Mediat shkruajnë se në harkun kohor të një viti mes Osmanit dhe Anilës kishte vazhdimisht grindje dhe zënka të cilat ndonjëherë degradonin në dhunë fizike. Trupi i saj u gjet në një divan në katin përdhes. Shtëpia e cila ndodhej në via Piave ishte marrë me qera prej një viti nga Anila dhe në verën e vitit të kaluar Osman Bilyhu ishte bashkuar me të për të jetuar së bashku. Më parë ajo kishte jetuar me të afërmit në Sannazzaro dhe punonte si kujdestare dhe pastruese.
Shtëpia e Anila Ruçit është pikërisht pranë qendrës estetike Athena, në pronësi të Marika Famà të cilën shqiptarja e frekuentonte shpesh. Marika estetistja kishte ngritur dyshimet se diçka mund të kishte ndodhur pasi Anila ishte vonuar në takimin që ajo kishte lënë më estetisten.
“Nuk ishte zakon i saj, ajo ishte gjithmonë shumë e përpiktë dhe e saktë”, u tha ajo gazetarëve. Megjithatë, thika nuk është gjetur ende dhe karabinierët janë ende në kërkim të saj. Autoritetet gjithashtu vijojnë hetimin për të kuptuar se çfarë e shtyhu Osman Bilyhun të ndërmerrte aktin tragjik.