Aktualitet Merrnin makina luksoze dhe nuk i paguanin, sekuestrohen 6 mjete. Një në...

Merrnin makina luksoze dhe nuk i paguanin, sekuestrohen 6 mjete. Një në pranga dhe një në kërkim

Një 22–vjeçar është arrestuar në Shkodër ndërkohë është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij pasi mashtronin njerëz për të përfituar makina.

Policia bën me dije se në kuadër  të operacionit policor  të koduar “Skema”, u vu në pranga shtetasi E. Ç., 22 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi G. Ç., 33 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga provat e siguruara gjatë hetimit, rezultoi se shtetasit E. Ç. dhe G. Ç., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm, me pretendimin se çmimin për blerjen e automjeteve (kryesisht luksoze), do e transferonin në llogarinë bankare përkatëse të shitësit të automjetit. Këta shtetas, edhe pasi i merrnin në posedim automjetet, nuk e paguanin çmimin e tyre, përmes llogarive bankare.

“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. H., 44 vjeç, pasi dyshohet se duke pasur dijeni për këtë veprimtari të kundërligjshme, i përvetësonte këto automjete, për t’i shitur ato, me çmime më të larta”, njofton policia.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 6 automjete luksoze të tipeve “Audi”, “Mercedes-Benz” dhe “Porsche”.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasit G. Ç.