Aktualitet Merrnin ryshfet për të liruar makinat e bllokuara/ SPAK çon në gjyq...

Merrnin ryshfet për të liruar makinat e bllokuara/ SPAK çon në gjyq policët gjyqësorë në Elbasan dhe sekserin

Prokuroria e Posaçme njoftoi sot mbylljen e hetimeve dhe çon për gjykim dosjen e veprimtarisë korruptive të zyrtarëve në policinë e Elbasanit.

Bëhet fjalë për arrestimin e inspektorit të Krimeve Sefer Shuka, pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit dhe inspektorit tjetër, Çelnik Toska, të cilët akuzohen për korrupsion, pasi në këmbim të parave, lejonin kthimin e makinave të bllokuara tek qytetarët e ndryshëm.

Për çdo makinë të liruar nga pika e bllokimit, dy inspektorët merrnin 500 deri në 1 milion lekë.

Në njoftim bëhet me dije se janë dërguar në gjyq:

Çelnik Toska (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Gramsh), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal;

Lulzim Hasa(me detyrë shef i Klubit Sportiv të Bashkisë Gramsh), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal;

Sefer Shuka (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës ”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Lirian Taragjini, (i vetëpunësuar ), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe 25 i Kodit Penal;

Zenel Taragjini, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe 25 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal ka rezultuar se të pandehurit Lirian Taragjini dhe Zenel Taragjini, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kane arritur të japin përfitim të parregullt si dhe të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek i pandehuri Çelnik Toska (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Gramsh) dhe tek i pandehuri Lulzim Hasa (me detyrë Punonjës i Bashkisë Gramsh) duke i dhënë shumat 50.000 dhe 150.000 lekë të reja (si dhe përfitime të tjera), për të realizuar nxjerrjen e automjetit të sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Kurse i pandehuri Sefer Shuka në funksionin e Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore Elbasan ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal pasi nuk ka marrë kallëzimin si dhe nuk ka referuar faktin penal të denoncuar nga shtetasi Lirian Taragjini.