Ish-kreu i grupit parlamentar unionist, Merz, u zgjodh në krye të CDU-së. 66-vjeçari fitoi 62.1 për qind në votimin e parë të anëtarëve në historinë e partisë. Merz kështu fitoi qartë kundër Röttgen-it dhe Braun-it.
Friedrich Merz-i pason Armin Laschet-in në krye të Bashkimit Kristiandemokrat, CDU. Sekretari i Përgjithshëm i CDU, Paul Ziemiak njoftoi në një konferencë shtypi se Merz-i kishte marrë 62.1 për qind të votave në votimin e anëtarëve. Konkurrenti i tij Norbert Röttgen mori 25.8% të votave dhe Helge Braun 12.1%.
Merz-i tani do të emërohet kryetar i partisë në kongresin federal të CDU-së, më 21 dhe 22 janar. Sipas informacioneve të CDU-së, në votim morën pjesë pothuajse dy të tretat e rreth 400.000 anëtarëve të partisë.
Kryetari i CSU-së bavareze, Markus Söder shkroi në Twitter se ai dhe partia e tij gëzohen për bashkëpunimin e ardhshëm. Ish-kryetari i partisë E Majta Riexinger tha se me zgjedhjen e Merzit ishte e qartë se CDU-ja do të pozicionohej shumë në të djathtë. Por kthimi në vitet neoliberale tetëdhjetë nuk është përgjigje për çështjet e kohës, tha ai.
Armin Laschet-i e kishte vënë në dispozicion postin e tij pas humbjes së zgjedhjeve federale në shtator. Röttgen-i dhe Merz-i konkurruan për postin e kryetarit të CDU-së në fillim të këtij viti – dhe humbën ndaj Laschet-it në një kongres partie atëherë. Për Merz-in, kjo është përpjekja e tretë për të kryesuar partinë, pasi 66-vjeçari humbi në vitin 2018 përballë Annegret Kramp-Karrenbauer-it, pasardhëses së ish-kryetares së CDU-së dhe ish-kancelares gjermane Angela Merkel.
Urim edhe nga Basha
Kryetari i PD, Lulzim Basha, i ka dërguar një mesazh urimi kryetarit të ri të CDU Friedrich Merz. Në mesazh ndër të tjera, Basha thotë se mezi pret që të punojë me të jo vetëm për të zhvilluar marrëdhënie më të ngushta, por edhe për të siguruar mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE.