“Zemra jonë sonte është në Betlehem”. Kështu e nisi Papa Françesku meshën në Katedralen e Shën Pjetrit në prag të Krishtlindjes, duke kujtuar qytetin ku Jezusi lindi në Bregun Perëndimor, por ku nuk do të ketë festime në shenjë solidariteti për situatën në Gaza.
“Zemra jonë sonte është në Betlehem, ku Princi i Paqes është ende i refuzuar nga logjika humbëse e luftës, me zhurmën e armëve që edhe sot e pengojnë atë të gjejë strehim në botë”, tha Ati i Shenjtë.
Më pas, ai duke evokuar “kontekstin në të cilin lindi Jezusi”, kujtoi se mbretërit në histori kanë zgjedhur rrugën e shkurtër duke luftuar për t’iu imponuar njerëzve, ndërsa Zoti u bë një me ta duke sjellë paqen.
“Ndërsa perandori numëron banorët e botës, Zoti hyn pothuajse fshehurazi. Teksa ata që urdhërojnë përpiqen të udhëheqin mes të mëdhenjve të historisë, Mbreti i historisë zgjedh rrugën e vogëlsisë. Asnjë nga të fuqishmit nuk e vëren atë, vetëm disa barinj, të zbritur në margjinat e jetës shoqërore. Për më tepër, Jezusi me përulësi e lejon veten të numërohet. Një ndër të shumtët. Ne nuk shohim një Perëndi të zemëruar që ndëshkon, por Zotin e mëshirshëm që mishërohet, që hyn në botë i dobët, i paraprirë nga pohimi: Në tokë paqe për njerëzit”, u shpreh Papa.
“Këtu është çudia e Krishtlindjes”, tregoi Ati i Shenjtë, “jo një përzierje e afeksioneve sakarine dhe rehatisë së kësaj bote, por butësia e paparë e Zotit që shpëton botën duke u mishëruar”.
“Le të shikojmë fëmijën, le të shohim grazhdin e tij. Le të shikojmë skenën e lindjes, të cilën engjëjt e quajnë “shenjë”, është në fakt sinjali zbulues i fytyrës së Zotit, i cili është dhembshuri dhe mëshirë, i plotfuqishëm gjithmonë dhe vetëm në dashuri.”