Pista kryesore ku është përqendruar hetimi i atentatit të së dielës në “Don Bosko”, ku u vra një grua e pafajshme dhe u plagosën gjashtë persona të tjerë, është ajo e hakmarrjes.
Në objektiv ka qenë Fatjon Murataj, pronari i lokalit ndaj të cilit u qëllua me breshëri, i njëjti që nuk u gjet në banesë pas ngjarjes, ndonëse ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Burime pranë grupit të hetimit bënë me dije se janë ngritur dyshime se atentati i mirëorganizuar është një hakmarrje për vrasjen e Brilant Martinajt, korrikun e vitit 2022, në mbikalimin e Fushë-Krujës, ngjarje ku u vranë edhe dy miqtë e tij, Diklen Vata e Besmir Hoxha.
Emri i Muratajt është lakuar pas këtij krimi, ndërsa më vonë ka dhënë edhe deklarime për ngjarjen, ku ka mohuar të ketë lidhje me të. Sipas burimeve, mekanizmi i atentatit, vendi ku u braktise u dogj mjeti i atentatorëve, përdorim i armëve kallashnikov dhe hapja zjarr me breshëri drejt një tavoline ku ishin ulur familjarë të Fatjon Muratajt, ka pasur si qëllim ekspozimin e forcës dhe ashpërsisë të grupit kriminal të atentatorëve.
Për llogari të hetimit, po verifikohen disa nga kontaktet miqësore të Brilant Martinajt, disa prej të cilëve të skeduar me herët, por deri më tani nuk është shoqëruar asnjë prej tyre. Nga ana tjetër, deklarimet e të plagosurve në ngjarje, një prej të cilëve xhaxhai i Muratajt, si edhe i vëllait të tij, që nuk u lëndua nga plumbat nuk kanë dhënë të dhëna me interes për hetimin.
Në atentatin e së dielës në mbrëmje në rrugën “Anastas Shundi” mbeti e vrarë Mimoza Paja, banakiere e lokalit, si edhe u plagosën 5 persona të tjerë. Nga ciflat e xhamave u dëmtua edhe një 10 vjeçare, mbesa e viktimës Paja./A2