Njerëzit janë më të rëndësishëm se ekonomia. Ky ishte mesazhi që përcolli Papa Françesku, ndërsa shumë shtete po nxitojnë të heqin masat e kufizimit për të rikthyer ekonominë në shina.
Në fjalimin e tij të parë nga dritarja e Bazilikës së Shen Pjetrit, pas 3 muaj izolim për shkak të pandemisë së koronavirusit, kreu i Selisë së Shenjtë tha gjithashtu se shpreson që bota do të dilte më e bashkuar nga kriza: “Shërimi i njerëzve është më i rëndësishëm se shpëtimi i ekonomisë. Ne, njerëzit, jemi tempuj të Shpirtit të Shenjtë, ndërsa ekonomia nuk është”.
Mesazhi i Papës u prit me duartrokitje nga qindra qytetarët e mbledhur në shesh, shumica e të cilëve me maska dhe në distancë nga njëri-tjetri. Para pandemisë, sheshi i famshëm mbushej plot nga dhjetëra mijëra besimtarë, të cilëve iu duhej të ngjisheshin mes tyre për të dëgjuar fjalën e Papës gjatë së dielës.
Hera e fundit që Papa përcolli mesazhin dhe bekoi publikun nga dritarja ishte në 1 mars, para se Italia të niste zbatimin e masave të rrepta për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Kufizimet e fundit do të hiqen në 3 qershor, kur shteti që numëron rreth 33 000 viktima nga pandemia do të rihapë kufijtë.