Nga Caroline de Gruyter*
Këtë javë, sërish, krerët e shteteve anëtare të BE-së dhe qeveritë përkatëse duhet të vendosin për të hapur ose jo bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Liderët e institucioneve kryesore theksuan se të dy vendet kanë bërë atë që u kemi kërkuar. Qershorin e kaluar vendimi u shty për shkak të ndasive të brendshme, por 14 vende të Europës Qendrore dhe Lindore kërkuan hapjen e negociatave. Franca dhe Holanda refuzuan, duke referuar mungesën e mbështetjen popullore. A do të hapin këto të dyja rrugë kësaj radhe? A do ta bëjnë të tjerët që në qershorin e kaluar I mbështetën në heshtje?
Këtu ne shohim dinamikën klasike të një “fuqie të ndërmjetme (interstitial)” në veprim: një fuqi e madhe, e shtypur nga rivalë më të mëdhenj, e sfiduar përherë nga të gjitha anët. Kjo është BE-ja sot. Anëtarët e tij nga Europa Lindore janë të shqetësuar se Rusia dhe Turqia do të destabilizojnë Ballkanin. Kjo ka ndodhur shumë herë gjatë historisë. Dhe rrallë ka përfunduar për mirë. Nëse BE-ja dështon që t’i ofrojë Ballkanit një perspektivë politike, argumentojnë këto shtete, i gjithë rajoni do të bëhet i paqëndrueshëm. Kjo do ta dobësojë edhe BE-në si të tillë.
Shumë larg
Megjithatë, Ballkani për vendet perëndimore të BE-së, Ballkani është shumë larg. Ato preferojnë që të përqendrohen në luftën tregëtare me SHBA, te Brexit, sulmet kibernetike, aktivitetet ushtarake ruse dhe kineze në Arktik apo edhe sfida të tjera. Në librin e tij të fundit, Strategjia e Madhe e Perandorisë Habsburgase, historiani amerikan A. Wess Mitchell shkruan se fuqitë tranzitore nuk zgjasin shumë në histori. Problemi kryesor që ato hasnin ishte koha: ishin të rrethuara nga armiq, por të paafta që t’i luftonin të gjithë në të njëjtën kohë. BE-ja e gjen veten në të njëjtën situatë tani që aleanca perëndimore e pasluftës është në telashe. Brukseli mund të mësojë diçka nga Habsburgasit e vjetër.
Perandoria Habsburgase mbijetoi për shekuj. Në ditët e lavdishme të saj ajo shtrihej nga Spanja dhe Holanda në Kroaci, Galici dhe Ukrainë. Perandori Jozef i dikur u ankua: “Aleatët e mi e dinë sesa e ndarë është fuqia ime ushtarake, e shpërndarë në çdo cep të Europës…sesi unë qëndroj në Transilvani dhe Hungari, sesa e vështirë do të ishte për mua të krijoja një forcë për të mbrojtur veten nëse do të shfaqej befas një rrezik nga Suedia, me të cilën duhet të merrem akoma, sa i dobët jam…në Rajhun ku si i pari që jam duhet që të jem më i forti”.
Mitchell nuk sjell paralele me Bashkimin Europian. Por ato janë të qarta në çdo faqe. Si ishte e mundur që një shtet i madh, i ndarë dhe kompleks që përfshinte gjermanishtfolës, hungarezë, sllavë, italianë dhe të tjerë, i kapluar nga vështirësi financiare, ia doli të qëndronte i paprekur për kaq shumë ndërkohë që sfidohej nga të gjithë rivalët në të gjitha drejtimet?
Përgjigja është se Habsbugasit mësuan të përdorin në maksimum mjetet që kishin në dispozicion. “Ata luajtën një lojë të gjatë gjeopolitike”, shkruan Mitchell, “duke futur në vathën e manaxhimit të kufijve të pafundëm trë perandorisë, aleatë dhe rivalë dhe duke shtrirë një hegjemoni beninje përgjatë tokave të trazuara të Europës Qendrore”.
Synimi kryesor i Habsburgasve ishte fitimi i kohës. Shtyrja e konflikteve, mundësisht shmangia e tyre, kjo ishte strategjia e tyre kryesore. Ushtria perandorake ishte e dobët. Perandori shpenzonte shumë për të mbajtur të gjitha grupet etnike të lumtura. Por ushtria ishte përherë me buxhet të pamjaftueshëm, kurse territori i Habsburgasve ishte I madh. Shmangia e konflikteve ishte jetike.
“Shtyrja” u shndërrua në politikë. Ju sjell ndërmend gjë kjo?
Përveçse e vogël, ushtria Habsburgase ishte po ashtu mbrojtës. Prusia, Rusia, Turqia dhe Franca përpiqeshin shpesh të vendosnin grupet etnike të Habsburgasve kundër njëri-tjetrit.
Në kundërpërgjigje, perandori formoi aleanca me komësitë, të mëdha dhe të vogla, përtej kufijve. Këto aleanca krijuan zona tampon. Nëse do të shpërthente konflikti, ai shpesh luftohej në këto zona. Kjo i mundësonte Perandorit të mbante territorin të papreur, duke shmangur paqëndrueshmërinë sociale apo problemet e besnikërisë ndaj tij brenda shtëpisë.
Një synim kyç i politikën së jashtme për Habsburgasit ishte investimi në diplomacinë dhe marrëdhëniet fqinjësore. Ata po ashtu u përpoqën që të mbanin raporte të mirë me shumë fuqi të mëdha, të cilave mund tu kërkonin ndihmë. Kjo ishte e rëndësishme për politikën e sigurisë: shumica e fuqive kryesore kishin ushtri më të forta se Habsburgasit. Si pasojë, Perandoria humbi shumë beteja, por rrallë humbi një luftë. Sipas Mitchell, gjithçka mori teposhtë sepse Franc Jozefi I(perandor nga 1848-1916) e braktisi këtë strategji në mesin e shekullit të 19-të. Ai e zgjeroi ushtrinë e vet, e cila u bë më e sigurtë nën sundimin e tij. Ai u përplas me fuqitë e mëdha. Ai hoqi dorë nga disa prej aleatëve të tij në zonat tampon, duke u dhënë atyre pretekstin për të mos qenë më besnikë.
Paralele nga historia
Bashkimi Europian po përballet me sfida të ngjashme. Njësoj si Habsburgasit, duhet të gjejë rrugë për të ecur i sigurtë në një hartë gjeopolitike përherë e më të rrëmujshme dhe ta bëjë këtë pa nevojën e avantazhit të predominancës ushtarake. Investimi më shumë në diplomacinë europiane, është një mësim.
Një tjetër mësim është shmangia e shndërrimit të zonave tampon tyë Europës në kufij të tensionuar. Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u duhet perspektiva europiane, në mënyrë që fuqi të jashtme të mos i përdorin ato të destabilizojnë BE-së. Ballkani dhe kufijtë lindorë të BE-së do të jenë “prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme”, tha kreu i ri i politikës së jashtme, Josep Borrell gjatë seancës dëgjimore në Parlamentin Europian. Kjo është zgjidhja e duhur. Në fund të fundit, ishte pikërisht manovrimi i pakujdesshëm në Ballkan që u dëshmua fatal për Perandorinë Habsburgase.
*Burimi: EuObserver
Përkthimi: ResPublica