Sport Messi apo Maradona? Luis Enrique nuk ka dyshime për më të mirin

Messi apo Maradona? Luis Enrique nuk ka dyshime për më të mirin

Diego Armando Maradona, apo Lionel Messi? Cili nga të dy është më i miri? Një pyetje që e bëjnë të gjithë dhe mendimet janë të ndryshme. Për çështjen në fjalë ka folur së fundi edhe trajneri i Spanjës, Luis Enrique, i cili nuk ka dyshime.

“Nuk e di pse të gjithë duan të bëjnë krahasime, – ka thënë trajneri spanjoll. – Janë të dy zotë të futbollit dhe Argjentina ka pasur fatin i jashtëzakonshëm që t’i ketë të dy këta lojtarë. Flitet mes njerëzve dhe trajnerëve, por e vërteta është se futbolli ndryshon shumë nga një vit në tjetrin.

Epoka e ‘Pelusa’ (nofka e parë e Maradonës) ishte fantastike. Një lojtar unik, që mund të fitonte Botërorin, duke udhëhequr skuadrën. Sot është e vështirë të ndodhë një gjë e tillë. ‘Pulga’ është numri 1 në historinë e futbollit, nuk ka asnjë dyshim”.

Si Enrique mendojnë edhe shumë të tjerë, por po të shumtë janë edhe ata që mendojnë se Maradona është i pakrahasueshëm. Në këto kushte, dilema do të vazhdojë gjithmonë, por Messi mund ta prishë ekuilibrin, nëse fiton Kupën e Botës në Katar, në Botërorin e tij të fundit.