Lionel Messi vazhdon të shkruajë historinë ngjyrat “blaugrana”. “Pleshti” në takimin përmbyllës të javës së 27-të të La Ligas, barazoi rekordin e një legjende si Xavi Hernandez me 767 ndeshje me fanellën e Barcelonës. Sulmuesi argjentinas, 6 herë fitues i Topit të Artë, do ta thyejë këtë rekord në takimin e së dielës ndaj Real Sociedadit. Klubi i Barcelonës e nderoi kapitenin duke shpalosur një banderolë ku shfaqeshin dy ikonat (Xavi dhe Messi) duke u përqafuar me duart lart me mesazhin “Duke prekur qiellin”.
“Është nder i madh të arrij këtë numër ndeshjesh të luajtura me Barcelonën. Faleminderit të gjithë kolegëve që më shoqëruan në këto vite dhe familjes e miqve të mi, që ishin gjithmonë pranë meje”.
Këto janë fjalët që Leo Messi shkroi në Instagram, pasi barazoi Xavi Hernándezin si lojtari me më shumë ndeshje (767) me fanellën e fanellën e Barçës.
Argjentinasi e festoi këtë arritje personale me dy gola dhe një asist në fitoren 4-1 ndaj Huescas. Përveç Messit shënuan edhe Griezmann e Mingueza.