Pritjes disa javore i erdhi fundi dhe një nga transferimet më të bujshme të merkatos, Lionel Messi më në fund zbriti të dielën në darkë në fushë me fanellën e Paris Saint Germain në transfertën ndaj skuadrës së Reims.
Prania e “pleshtit” në grumbullim kishte bërë që çmimi i biletave të prekte çmimin e 1000 eurove, megjithatë Maurizio Pochettino nuk preferoi ta aktivizojë nga fillimi argjentinasin, por vetëm në 25 minutat e fundit, duke e hedhur në fushë në vendin e Neymar.
Sfida përfundoi me rezultatin 0-2 për kryeqytetasit, falë një dopiete të Kylian Mbappe, ndërsa Lionel Messi nuk arriti të lërë gjurmë në debutim, duke mos treguar asgjë nga bagazhi i tij i jashtëzakonshëm teknik.
Përveç disa shkelmave dhe ndërhyrjeve të ashpra nga kundërshtarët si mikpritje, ylli argjentinas do të mbajë mend nga ky debutim edhe një foto me një fëmijë të vogël, djalin e portierit të Reims, Predrag Rajkoviç.
Ky i fundit, menjëherë pas vërshëllimës finale, nxitoi të marrë djalin e tij të vogël nga tribuna dhe me shumë mirësjellje i kërkoi Messit që të bënin një foto të dy bashkë, teksa ylli argjentinas u tregua menjëherë i gatshëm të pozojë me djaloshin e vogël në krah.
Debutimi i vërtetë i 6 herë fituesit të Topit të Artë pritet të vijë më 12 shtator në “Parc des Princes”, para mijëra tifozëve parizienë, që ashtu siç e pritën në aeroport, janë gati të ndezin atmosferën edhe në tribunë në sfidën ndaj Clermontit.