Barcelona ka njoftuar zyrtarisht se Leo Messi do të vazhdojë të jetë edhe për këtë sezon kapiteni i ekipit katalanas.
33-vjeçari ishte vënë në dyshim për këtë rol që kur kërkoi largimin. Pasi vendosi të qëndrojë, duke thënë se po e bën këtë vetëm për të mos hedhur në gjyq klubin që dashuron, mediat sportive spanjolle vunë në dyshim vijimësinë e argjentinasit si kapiten. Kjo për faktin se në intervistën ku njoftoi se do të qëndronte edhe për një vit, Messi kritikoi ashpër Presidentin e klubit, Bartomeu.
Trajneri Ronald Koeman nuk ka dashur të tensionojë situatën duke emëruar një kapiten të ri. Edhe vetë Messi, i cili mund të kishte hequr dorë vetë nga shiriti, nuk e ka bërë këtë gjë për të mos hapur polemika.
Zëvendësit e Messit për këtë sezon do të jenë të përhershmit: Sergio Busquets, Piqué dhe Sergi Roberto.