Lionel Messi është nominuar edhe një herë për “Topin e Artë”, ku thotë se nuk ndihet favorit, pavarësisht se është i tillë: “Jo, nuk ndihem si i preferuar dhe kurrë nuk më ka pëlqyer të flas për këtë deri në shpalljen e rezultatit. Nëse kjo ndodh, do të ishte mirë të fitoje edhe një trofe tjetër të tillë. Është tashmë e jashtëzakonshme të kesh gjashtë ‘Topa të Artë’ dhe të jesh lojtari i vetëm në këtë lartësi. Të fitoja një të shtatë do të ishte e pabesueshme. Këtë verë fitova titullin që më mungonte (Copa America) dhe ishte kulmi. Më vonë, nëse fitoj një ‘Top të Artë’ të ri, do të jem shumë i lumtur dhe shumë mirënjohës, por nuk dua të mendoj për këtë”.
Argjentinasi e di se cilët janë rivalët e tij për çmimin ose, të paktën, për kë do të votonte: “Në ekipin tim ka të paktën dy, për të cilët me siguri do të votoja: Ney dhe Kylian. Pastaj Leëandoëski, i cili ka pasur një vit të mrekullueshëm. Ekziston edhe Benzema, i cili po shkëlqen. Ne e dimë se titujt janë gjithashtu të rëndësishëm: Liga e Kampionëve, Europiani dhe Kupa e Amerikës, padyshim që do të peshojnë në votim”.
Për shokun e tij të ri të skuadrës, ai kishte fjalë të mira. Po kështu shpjegoi atë që dinte për negociatat e tij me Real Madridin: “Me një lojtar si ai është e lehtë të merresh vesh. Përveç kësaj, Kylian flet spanjisht perfekt. Kjo i bën gjërat më të lehta. Unë sapo kisha mbërritur, kur u fol mbi një kalim të mundshëm të tij te Real Madridi.
Nuk e njihja aq mirë, sa të shkoja të flisja me të për këtë dhe t’i jepja mendimin tim. Si të gjithë të tjerët, prisja të shihja se çfarë do të ndodhte. Por, në fund, ai qëndroi me ne dhe ishte një gëzim i madh. Është një armë në favorin tonë për të arritur objektivat”.
Numri 30 i PSG sheh dallime midis dy tridentëve, për shkak të karakteristikave të Suárez dhe Mbapé: “Tridenti i pare (MSN)? Ne ishim të rinj kur filluam të luanim së bashku me Neymar. Sot, i riu është Kylian. Luis (Suárez) dhe Kylian janë lojtarë shumë të ndryshëm. Luis është një 9 i pastër, një sulmues i goli, veçanërisht efikas në zonë dhe i mësuar të shënojë shumë.
Kylian pëlqen ta prekë topin më mirë. Ai është një lojtar shumë i fuqishëm dhe jashtëzakonisht i shpejtë, i cili të vret nëse i lejoni hapësirë. Gjithashtu shënon shumë. Ata janë dy lojtarë spektakolarë, por me cilësi shumë të ndryshme”.
Një nga momentet më të mira, jo vetëm të vitit, por të karrierës së tij sportive, e jetoi verën e këtij viti, me triumfin në ‘Copa América’: “Ishte absolutisht e pabesueshme ta fitoja këtë titull. Kjo është diçka që e kam ëndërruar për një kohë të gjatë . Unë kam luftuar për këtë preh vitesh. Kisha qenë shumë pranë qëllimit në disa raste dhe më në fund e arrita atë, në Brazil, kundër Brazilit. Ishte vërtet e pabesueshme. Ishte një ëndërr e realizuar. Ishte e pabesueshme për mua që më në fund arrita ta fitoja një titull me fanellën e kombëtares. Ishte një triumf i mrekullueshëm për popullin argjentinas”.
Ai pranon se një peshë e madhe iu hoq nga supet: “Unë do të kisha mbajtur një ndjenjë të çuditshme brenda meje nëse do ta kisha mbaruar karrierën pa fituar një titull me kombëtaren. Ishte titulli që më mungonte. Ishte një çlirim. Unë kisha nevojë dhe mendoj se të gjithëve na duhej. Argjentinasit dhe futbolli ynë gjithashtu, pas kaq shumë vitesh mungesë, festuan”.