Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, pretendon se ai mendon “gjithnjë e më pak” për të shënuar gola, pasi ka hyrë në vitet e “muzgut” të karrierës së tij. Në vend të kësaj, argjentinasi përqendrohet më shumë në leximin e lojërave në tërësi, në mënyrë që të ndikojë në mënyrën më të dobishme për ekipin. Messi ka thyer rekorde të panumërta të golave përgjatë karrierës së tij. Ai është bërë kryegolashënuesi i të gjitha kohërave në La Liga. Kapiteni i Barcelonës po luan vitet e fundit të karrierës, sepse është 33 vjeç tashmë.
“Unë mendoj gjithnjë e më pak për të shënuar gola, – tha Messi për DAZN. – Po tërhiqem gjithnjë e më shumë në fushë, për të qenë më tepër krijues i golave sesa finalizues. Natyrisht, më pëlqen të shënoj dhe, nëse e kam një shans, do ta shfrytëzoj. Sidoqoftë, sa herë që hyj në fushë jam më pak i përqendruar në shënimin e golave, më tepër lexoj lojën. Unë kurrë nuk kam qenë i fiksuar me golat. E kuptoj se njerëzit do të flasin për këtë, kur të ndalem së shënuari kaq shumë, por kjo është pjesë e lojës, pjesë e rritjes si lojtar dhe përshtatjes me moshën. Tani është koha për të racionalizuar forcat, sepse vetëm kështu mund të jap më të mirën për ekipin”.
Messi do të shikohet gjithmonë si futbollisti magjik në aspektin individual, që mund ta zgjidhte një ndeshje i vetëm në favor të ekipit. Ndërkohë, gjashtë herë fituesi i “Topit të Artë” pranon se ka kaluar një thatësirë zhgënjyese në hapat ftillues drejt ekipit të parë në “Camp Nou”: “Ishte një kohë, kur nuk shënoja shumë gola. E nisa mjaft mirë në këtë drejtim për Argjentinën, ashtu edhe për ekipin e të rinjve të Barcelonës. Më pas kisha një bllokim gjatë viteve të para në ekipin e parë. Unë, ose do të gaboja, ose do të isha pa fat. Kisha aq shumë shanse, por nuk arrija të shënoja, derisa një ditë gjithçka ndryshoi dhe topi filloi të hynte në rrjetë. Në fakt, kaluan disa vite, para se të ndodhte kjo. Mbaj mend Samuel Eto’o, që më tha: Ditën kur të fillosh së shënuari, nuk do të ndalesh më”.