Sport Messi komplimenton Ronaldon: Bëri diçka magjike!

Messi komplimenton Ronaldon: Bëri diçka magjike!

Pas natës magjike të Cristiano Ronaldos, që shënoi 3 herë në portën e Atleticos së Madridit, për të kaluar Juventusin në çerekfinale, edhe rivali i tij më i fortë, Lionel Messi kompletoi një paraqitje fantastike mbrëmjen e djeshme, duke shënuar dy gola dhe asistuar dy të tjerë përballë Lyonit.

Në përfundim të takimit, “Pleshti” nuk la pa komentuar performancën e Cristianos, duke vlerësuar maksimalisht portugezin dhe duke e cilësuar diçka të jashtëzakonshme atë që ai bëri në fushën e lojës.

“Ajo që bëri Cristiano me Juven është e pabesueshme. Një surprizë e madhe, sepse të them të drejtën besoja se Atletico Madrid do të luante më fort në fushë. Por, Juventusi u tregua i zoti, ka shumë potencial dhe Cristiano ka jetuar një natë magjike me ato tri golat”, tha Messi.

Pas shumë vitesh përballje mes tyre në kampionatin spanjoll, këtë sezon Ronaldo u transferua në kampionatin italian, por fati mund të rikthejë rivalitetin mes tyre në Ligën e Kampionëve, gjithmonë nëse goglat do të vënë përballë Juventusin me Barcelonën.

“Në fakt të gjitha skuadrat që kanë arritur deri këtu, janë shumë të forta, pasi jo më kot janë në çerekfinale. Nuk kam preferenca për shortin, pasi nëse do të fitosh Championsin, më herët apo më vonë, duhet t’i mposhtësh të gjithë”, deklaroi ylli argjentinas.