Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi është bashkuar me shumë zëra nga bota e sportit, të cilët u kanë kërkuar njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen e pandemisë së koronavirusit. Ky mesazh shkon përtej thjesht informimit të publikut, pasi ai gjithashtu u jep mbështetjen e tij të gjithë atyre që janë prekur nga koronavirusi, si dhe profesionistëve shëndetësorë që po punojnë çdo ditë për t’u përballur dhe luftuar sëmundjen.
“Këto janë ditë të vështira për të gjithë”, ka shkruar Messi në rrjetet sociale, ku shfaqet në një fotografi të bërë në shtëpi nën shoqërinë e dy prej fëmijëve të tij. “Jetojmë me shqetësimin për atë që po ndodh dhe duam të ndihmojmë duke e vendosur veten në vendin e atyre që tani kanë periudhën më të vështirë, sepse kjo ndikon drejtpërdrejt tek ata ose familja dhe miqtë e tyre”.
Duke pasur parasysh profesionistët e shëndetit që punojnë aktualisht për të gjetur një kurë, Messi dërgon mesazhe mbështetjeje e admirimi për rrugën e vështirë që kanë përpara, ndërsa gjithashtu tërheq vëmendjen publikut që të ndjekë udhëzimet e tyre.
“Unë dua t’u jap shumë forcë atyre që janë duke punuar në vijën e parë për ta luftuar koronavirusin në spitale dhe qendra shëndetësore”, shtoi ai. “Shëndeti gjithmonë vjen i pari. Kjo është një kohë e jashtëzakonshme dhe ne duhet të ndjekim udhëzimet e organizatave shëndetësore dhe autoriteteve publike. Është mënyra e vetme që të mund ta ndryshojmë situatën në mënyrë efektive”.
Messi u kujtoi njerëzve se nuk duhet të dalin nga shtëpitë e tyre. “Tani është koha për të qenë të përgjegjshëm dhe të qëndrojmë në shtëpi, është koha e përkryer për të qenë me të dashurit tuaj, të cilën nuk mund ta bëjmë gjithmonë”, deklaroi ai.
“Ju përqafoj, dhe uroj e shpresoj që të mund ta kthejmë këtë situatë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Barcelona ka pezulluar të gjitha veprimtaritë për 15 ditët e ardhshme dhe lojtarët e saj po marrin këshilla nga kreu i Mjekësisë Parandaluese dhe Epidemiologjisë në Klinikën Spitalore në Barcelona, dhe Jaume Padros, presidenti i Shoqatës Mjekësore të Barcelonës dhe shef i shëndetit profesional në Barcelona.