Pas atij “El Clasico” të trishtë të së mërkurës, që nuk entuziazmoi aspak Barcelonën në lojë dhe në klasifikim, drejtuesit e klubit katalanas kanë luajtur “xholin”, siç bën me dije “Mundo Deportivo”. Sipas të përditshmes spanjolle, Barcelona ka nisur kontaktet me Jorge Messin, babanë dhe agjentin e Leos, për rinovimin e radhës të kontratës me fituesin e “Topit të Artë”.
Edhe pse zyrtarisht nuk ka pasur asnjë dyshim në lidhje me Messin katalanas përjetë, diçka e konfirmuar edhe nga vetë argjentinasi, në kontratën e tij ka një kaluzolë që prej 2017-ës, sipas së cilës, qershorin e ardhshëm “pleshti” mund të ta largohet me parametra zero, kur dihet që për prishjen e parakohshme të kontratës duhen paguar 700 milionë euro. Megjithatë, kanë nisur manovrat e mëdha: kontrata katërvjeçare prej 100 milionësh në vit, e firmosur në vitin 2017, do të zgjatet edhe për dy sezone. Nuk mendohet për një rishikim të rrogës për një futbollist, i cili në 2021-shin do të jetë 34 vjeç.
Gjithsesi, fjalën e fundit e ka Lionel Messi. Më parë, Pujol dhe Iniesta e mbyllën para skadencës kontratën me Barcelonën, kurse Messi ka thënë së fundi nuk do t’ia lejojë kurrë vetes të rrijë pa u ndjerë realisht në lartësinë e fanellës me numër 10 të Barcelonës. Problemi i katalanasve në këtë moment është se ndërsa Mesi arrin të mbajë gjithmonë të njëjtin nivel të lartë, shokët e skuadrës nuk arrijnë ta mbështesin.