Lionel Messi do të vijojë të jetë një lojtar i Barcelonës, të paktën edhe për një sezon. Argjentinasi e ka pohuar vendimin e tij në një intervistë të dhënë pasditen e së premtes për “Goal”.
“Kur i komunikova dëshirën time për t’u larguar gruas dhe fëmijëve të mi, ishte një dramë e madhe. E gjithë familja filloi të qante, fëmijët e mi nuk donin të largoheshin nga Barcelona, as nuk donin të ndryshonin shkollën. Por unë pashë më larg dhe dua të garoj në nivelin më të lartë, të fitoj tituj, të garoj në Ligën e Kampioneve. Ju mund të fitoni ose të humbni në të, sepse është shumë e vështirë, por duhet të garoni. Të paktën të garojmë për ta fituar trofeun dhe le të mos dorëzohemi siç bëmë në Romë, Liverpul dhe Lisbonë. Humbja në Lisbonë ishte shumë e rëndë. Ne e dinim që ata ishin një kundërshtar shumë i vështirë, por nuk e mendonim se do të shkonte në atë mënyrë, duke dhënë një imazh kaq të dobët për klubin, një imazh shumë negativ. Ishte një gjendje shumë e vështirë, nuk mund të bëja asgjë. E gjithë kjo më shtyu të mendoja për atë vendim. Mendova dhe isha i sigurt që isha i lirë të largohesha, presidenti gjithmonë thoshte se në fund të sezonit mund të vendosja nëse do të qëndroja apo jo.
Por unë, kurrë nuk do të shkoja në gjyq kundër klubit të jetës sime, prandaj do të qëndroj te Barcelona”, ka thënë ndër të tjera 33-vjeçari.
“Bartomeu gënjeshtar”
Gjatë intervistës, Messi akuzoi ashpër presidentin Bartomeu.
“Dashuria ime për Barcelona nuk diskutohet! Bartomeu gënjeu, sepse ndryshe kishim rënë dakord në fund të këtij sezoni dhe nuk e mbajti fjalën. E vërteta është se nuk ka projekt! Këtu nuk ka asgjë. Kam vuajtur gjithë vitin, në stërvitje, ndeshje dhe në dhomat e zhveshjes! Ka shumë persona fals. Ata mashtrojnë dhe mbulojnë vrimat, duke vazhduar”, tha Messi, ndërsa shtoi: “Unë do të vazhdoj te Barcelona dhe qëndrimi im nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh sa kam dashur të shkoj. Unë i thashë klubit, presidentit, se doja të shkoja. Unë i kam thënë gjithë vitin. Mendova se koha ime në Barcelonë kishte mbaruar, fatkeqësisht – gjithmonë doja ta përfundoja karrierën time këtu”.