Lionel Messi është i lirë të bisedojë me çdo klub për një transferim të mundshëm në qershor, sipas rregullores së FIFA-s. Kapiteni i Barcelonës kryeson listën e lojtarëve që u skadon kontrata në fund të sezonit. Argjentinasi, pas një vere të komplikuar dhe prishjes së marrëdhënies me Bartomeun, mund të mendojë i qetë për të ardhmen me një fanellë tjetër.
Presidenti i ri i Barcelonës do të zgjidhet më 24 janar dhe linja e drejtuesve të rinj do të jetë thelbësore për të bindur Messin të qëndrojë. Gjithçka varet në fakt nga kushtet financiare që do të ketë klubi, sepse sezoni 2019-2020 është mbyllur me një humbje prej 97 milionë eurosh, ndërsa borxhi është thelluar në shifrën e 488 milionëve, është dyfishuar brenda 12 muajsh.
Në këtë pikë, pyetja është: kush mund t’ia lejojë vetes të blejë Messin? Në këtë rast, klubi që ka si synim afrimin e argjentinasit mund të kursejë pagesën për kartonin, sepse sulmuesi është me parametra zero, por duhet të bëjë llogaritë me pagën e lartë të lojtarit.
Sipas “L’Equipe”, rroga prej 8.3 milionë eurosh në muaj, në një vit gati 100 milionë, ndaj dhe vetëm dy klube kanë shanse për një marrëveshje me Messin. PSG-ja është kandidati kryesor, sepse ka fuqinë financiare dhe Mesi do të gjente aty edhe mikun Neymar. Pak javë më parë braziliani është shprehur se dëshiron që të dëfrehet sërish me Mesin në fushë.
Mundësitë financiare për të marrë Lionel Messin i ka edhe Mançester Siti. Avantazhet e “qytetarëve” janë se Premier Liga është një kampion që josh çdo lojtar, skuadra drejtohet nga Pep Guardiola dhe në të bën pjesë edhe patrioti Aguerro. Tani “topin” e ka Mesi.