Sa herë që në media përmendet emri i Messit gjatë këtyre muajve të fundit ka të bëjë me ndonjë rekord të ri të vendosur nga ylli argjentinas ose me merkaton dhe me një largim të mundshëm të 6-herë fituesit të Topit të Artë nga Barcelona. Diçka e tillë ka ndodhur edhe në momentin që në media u raportua se babai i Messit, Jorge do të zbarkonte në Milano pasi kishte blerë shtëpi në kryeqendrën e Lombardisë. Por blerja e shtëpisë në Milano është më shumë lëvizje ekonomike e familjes Messi, për shkak të taksave.
Përveç se për blerjen e shtëpisë mediat kanë aluduar se mbërritja në Milano e Jorge Messit do të bëhej për të diskutuar nga afër me drejtuesit e Interit për kalimin e djalit të tij te skuadra zikaltër në merkaton e kësaj vere. Në muajt e fundit emri i Messit është përmendur shpesh për një transferim të mundshëm te Interi. Por menjëherë pas këtyre lajmeve ka ardhur edhe përgënjeshtrimi. Agjenti i Messit i ka quajtur “false” këto lajme duke nënvizuar se ylli i Barcelonës po shijon javën e pushimeve që u ka dhënë trajneri Setien para ndeshjes së 8 gushtit ndaj Napolit në Champions. Për momentin Messi ndodhet në Ibiza me bashkëshorten e tij, fëmijët dhe miqtë e tij Luis Suarez dhe Pepe Costa dhe me familjet respektive.