Lionel Messi ka menduar largimin nga Barcelona. Argjentinasi e ka thënë hapur në një intervistë të dhënë së fundmi për RAC1. Ajo ende nuk është transmetuar, por në mediat spanjolle janë publikuar pjesë të saj kur flet për periudhën e tij të vështirë në Spanjë dhe për mundësinë e kalimit të Neymar te Real Madridi.
“Ka pasur momente kur kam qenë shumë i lodhur për shkak të shumë situatave. Ndodhi disa herë, veçanërisht në vitet 2013, 2014, kur pata probleme me Thesarin (Messi u akuzua për evazion fiskal). Ishte shumë e vështirë për mua dhe familjen time. Njerëzit nuk e dinë se çfarë po ndodh me ty në ato momente, ata nuk dëgjojnë, mendojnë dhe flasin”, rrëfen argjentinasi.
Messi vijon të flasë për situatën e krijuar dhe mendimet e lindura për t’u larguar: “Unë isha i pari dhe për këtë ishte aq e vështirë. Duke nisur nga fakti që më sulmuan dhe do të sulmonin gjithë futbollistët, po e humbisja qetësinë. Më e mira nga të gjitha ishte se fëmijët ishin të vegjël dhe nuk kuptonin asgjë. Gjithsesi patëm një moment të vështirë. Në atë kohë e kisha mendjen të ikja, jo sepse doja të largohesha nga Barcelona, por për shkak të atyre gjërave që po ndodhnin”.
NEYMAR – Këtë verë sulmuesi brazilian u tentua nga Barcelona dhe Messi zbulon se ka pasur frikë se Neymar do t’i bashkohej rivalëve të Real Madrid. “Sinqerisht e kam menduar në një moment, veçanërisht në këtë merkato, që nëse ai nuk do të vinte këtu, do të shkonte te Reali i Madridit.
Kjo pasi mendoja se ai dëshironte shumë të largohej. Donte një ndryshim, ta linte Parisin. Mendova se Florentino dhe Madridi do bënin diçka për ta larguar nga aty”, ka thënë Messi në intervistën e dhënë për RAC1.