Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje shqiptarëve të Malit të Zi që të votojnë alternativat shqiptare më 30 Gusht. Përmes një videomesazhi, Meta thotë se në këtë mënyrë rritet përfaqësimi i tyre në parlament e për pasojë edhe në institucionet e ardhshme qeverisëse.
“Zgjedhjet e 30 gushtit janë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, për të forcuar akoma më shumë perspektivën europiane të vendit të tyre. Me këtë rast, shpreh bindjen se bashkëkombasit tanë në Malin e Zi, do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike përmes pjesëmarrjes së gjerë, por njëkohësisht përmes mbështetjes së tyre për alternativat shqiptare, në mënyrë që përfaqësimi i tyre në Parlamentin e Malit të Zi të rritet, si dhe në të gjitha institucionet e ardhshme qeverisëse”, thotë Meta.
Presidenti shprehet se duhet të jemi krenarë për rolin dhe kontributin që faktori shqiptar ka luajtur deri më sot në Malin e Zi.
“Por pa dyshim që do të luajë edhe në të ardhmen, për të garantuar perspektivën europiane të këtij vendi mik, fqinj dhe partner i pazëvendësueshëm, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”.