Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama ishin sot të ftuar të marrin sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit që po mbahet në Pallatin e Kongreseve.
Në fjalën e tij, presidenti Meta tha se klasa politike është e paralajmëruar nga metodologjia e re e BE-së, sipas së cilës nëse nuk ka përparim, do të ketë kthim prapa në procesin e integrimit.
Ilir Meta: “Zbatimi i vërtetë i kushteve të cilat kanë ardhur në rritje dhe i detyrimeve të marrëveshjes së stabilizim asociomit duhen marrë më seriozisht. Vetëm një proces i besueshëm ku vullneti politik vihet në shërbim të interesave madhore do të mund të parandalojnë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhet e vendit. Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e BE-së e cila thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do ketë ndëshkim, deri në kthimin prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të rëndësishme. Sigurisht që kjo do ishte fatale për ne, dhe nuk ka përse të ndodhë. Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë se 20 vite më parë kur u përfshimë në procesin e stabilizim asocimit, ishim në një korsi me Kroacinë dhe shumë përpara Malit të Zi apo dhe Serbisë”.
Presidenti tha se palët nuk duhet të minojnë dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet tyre.
Ilir Meta: “Ndaj besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar duke nisur me heqjen dorë nga politika e e vendosjes përtpara faktit të kryer e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve. Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh por edhe të ofrosh. Në këtë kontekst dua të vlerësoj se marrëveshja që u dakordësua nga Këshilli Politik për reformën zgjedhore, ishte një hap i rëndësishëm përpara. Çmoj kontributin jashtëzakonisht konstuktiv që luajti në këtë proces, veçanërisht KE, Bundestagun, partnerët europianë në vendin tonë, si dhe SHBA e Mbretërinë e Bashkuar”.
Meta bëri apel që dakordësia e arritur për reformën zgjedhore, të vijojë për të gjitha ndryshimet e nevojshme dhe të finalizohet sa më shpejtë në parlament.
Ilir Meta: “Inkurajoj që kjo dakordësi të vijojë për të gjitha ndryshimet e nevojshme për reformës zgjedhore dhe të finalizohet me miratimin e shpejtë në parlament. Padyshim sfida e vërtetë do jetë zbatimi besnik i kodit të ri zgjedhor dhe sjellja e secilit aktor për të siguruar një proces zgjedhor me integritet që mbron dhe respekton votën e lirë të qytetarëve. Inkurajoj gjithashtu që në plan veprimin e hartuar nga qeveria, të reflektohen kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit, të zbërthehen një për një kushtet e vendosura, si dhe të përcaktohen qartë aktorët përgjegjës, termat konkretë dhe të matshme të veprimit, dhe kostot financiare. Konsolidimi dhe më pas zbatimi i këtij plan veprimi duhet të vërtetojë që Shqipëria jep rezultat”.