Presidenti Ilir Meta ka dekretuar me shpallje ligjin nr. 112/2020 “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”. Meta e cilëson këtë ligj të një rëndësie themelore dhe kërkon nisjen e menjëhershme të zbatimit të tij. Në funksion të kësaj, ai i kërkon Këshillit të Ministrave nxjerrjen sa më shpejt të akteve nënligjore.
“Ky ligj është një rekomandim i përsëritur për Republikën e Shqipërisë nga Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL) të Këshillit të Europës, për identifikimin dhe regjistrimin e pronarit përfitues të subjekteve tregtare dhe organizatave jofitimprurëse, të regjistruara në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj është një hap para drejt transparencës së zotëruesve të kapitalit të subjekteve tregtare, por që po në funksion të kësaj transparence, mund të kishte përcaktuar edhe më qartë detyrimin për deklarimin dhe regjistrimin e subjekteve, pa kufizime, në raport me aksionet/kuotat të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues. Ky ligj nuk duhet të jetë një akt që miratohet vetëm për qëllime raportimi pranë Moneyval, por është me rëndësi themeltare për Shqipërinë, të nisë menjëherë zbatimi i tij dhe transparenca me zotëruesit e aksioneve, pa u zvarritur nga Këshilli i Ministrave nxjerrja e akteve nënligjore që mundësojnë fillimin e implementimit”, shprehet Meta.
Falë miratimit të këtij ligji, Shqipëria do të krijojë, për herë të parë, Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Kjo do të thotë që të gjithë ata që kanë aksione në kompani offshore dhe janë përfitues direktë të aktivitetit të tyre, do të jenë të njohur për autoritetet. Miratimi i këtij ligji vjen në një kohë kur Moneyval e ka rikthyer vendin tonë në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave. Për herë të fundit, vendi ynë kishte dalë nga kjo listë në vitin 2015.