Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ligjin për Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit, nismë që është pjesë e paketës së reformës në drejtësi.
Në mesazhin e tij, kreu i shtetit thekson se ka pritur dy vite që të bëheshin ndryshimet përkatëse në këtë ligj, pasi një pjesë e konsiderueshme e tij u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese.
“Realizimi i shtesave dhe ndryshimeve në këtë ligj janë argumentuar nga Kuvendi si të nevojshme në plotësim të vakumit të krijuar për shkak të Vendimit nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, që ka shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën disa dispozita të këtij ligji, dhe që kishin të bënin me:
Papajtueshmërinë ambientale;
Veprimtaritë e jashtme;
Vlerësimin;
Kategorizimet e disa prej shkeljeve disiplinore;
Masat disiplinore plotësuese;
Aksesin në dokumentacion gjatë procesit disiplinor;
Pezullimi nga detyra;
Veprimtari këto të lidhura me funksionin apo procesin disiplinor që zhvillohet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, etj.
Përpos këtyre plotësimeve ligjore, Presidenti i Republikës, konstatoi se ligjvënësi me ligjin nr. 48/2019 ka realizuar gjithashtu më shumë se 14 ndërhyrje të tjera në ligjin nr. 96/2016, me qëllim riparimin, përmirësimin, qartësimin dhe harmonizimin e dispozitave të ligjit nr.96/2016, në tërësinë e tij.
Kjo tregon se, në momentin e miratimit të ligjit nr.96/2016, ky akt përveç se ka patur probleme antikushtetushmërie për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese, gjithashtu ka patur edhe mangësi të tjera të karakterit të teknikës legjislative, shprehje të pasakta, gabime në referime etj, që nëse do të ishte gjykuar në mënyrë të thelluar dhe jo të nxituar nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë në momentin e hartimit të ligjit nr.96/2016 dhe miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk do të ekzistonin.
Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 96/2016 në një kohë të vonuar, konkretisht pas më shumë se 2-vjet nga momenti i vendimit të Gjykatës Kushtetuese (prill 2017), sërish Presidenti i Republikës i mirëpret këto ndryshime ligjore dhe për këto arsye me Dekretin nr.11249, datë 05.08.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji.
Presidenti i Republikës, nxit dhe inkurajon Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, apo organet e tjera të sistemit të drejtësisë që sipas përcaktimeve të ligjit nr.96/2016, datë 06.10.2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, tashmë të ndryshuar të bëjnë çmos që i gjithë sistemi gjyqësor dhe ai i prokurorisë të funksionojnë në mënyrën e duhur.
Pas plotësimit dhe përmirësimit të ligjit, tashmë është detyrë dhe përgjegjësi e organeve respektive të zbatojnë me rigorozitet, jo vetëm ligjin nr. 96/2016, por gjithë kuadrin kushtetues dhe ligjor të paketës në reformën e sistemit të drejtësisë, për të bërë të mundur që vendi ynë të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm dhe të përgjegjshëm, të aftë profesionalisht, të cilët duhet të pranohen, emërohen, dhe të zhvillojnë karrierën e tyre brenda sistemit të drejtësisë, bazuar mbi një sistem vlerësimi dhe promovimi që bazohet në meritë, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri”, thekson Meta.
Ndërkohë që kreu i shteti bën të ditur se ka dekretuar dhe ligjin “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.
Ky ligj u krijon mundësi qytetarëve që të dërgojnë në Kuvend propozime të ligjeve për miratim.
Ky ligj ka për qëllim të rregullojë procedurën e detajuar mbi ndërmarrjen e nismave ligjvënëse popullore nga 20 mijë shtetas me të drejtë vote, duke filluar nga momenti i regjistrimit të nismës, deri në paraqitjen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim.
Ky rregullim me ligj është i domosdoshëm për shkak të zhvillimeve për rritjen e të drejtave të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit.
“Në këto kushte, promovimi i nismës ligjvënëse popullore, si pjesë e institucioneve kushtetuese të demokracisë së drejtpërdrejtë, është vlerësuar si një nevojë e domosdoshme nga Presidenti i Republikës, dhe për këtë arsye me Dekretin nr. 11250, datë 05.08.2019, ai ka miratuar shpalljen e ligjit nr. 54/2019”, thekson Presidenti.